Pasojat e pandemisë dhe puna nga shtëpia/ ‘The Economist’: Rikthimi në zyrë, më i ndërlikuar se largimi i papritur i vitit të kaluar  

Teksa ekonomitë hapen sërish, punëdhënësit përballen me zgjedhje të vështira, shkruan “The Economist”

Patrick Pichette, shefi i financave i Google, kujton kohën kur para tetë vjetësh, e pyetën se sa punonjës të kompanisë gjigante teknologjike mund të punonin nga shtëpia. Përgjigjja e tij ishte e thjeshtë: “Sa më pak të jetë e mundur”. Pavarësisht nga fakti se Google krijonte një sërë aplikacionesh që mundësonin punën në distancë, komenti i tij ishte vërtet i paharrueshëm.

Nga Silicon Valley dhe Wall Street, në Square Mile në Londër, La Défense në Paris, Potsdamer Platz në Berlin dhe Central në Hong Kong, rrethet e biznesit në të gjithë botën, mirëprisnin me miliona punonjës në zyra, çdo ditë pune. Bashkimi në një vend mendohej se nxiste produktivitetin, inovacionin dhe shoqërinë. Kjo u mundësonte shefave të mbikëqyrnin mirë vartësit e tyre. Puna nga shtëpia ishte diçka që duhej bërë vetëm nëse nuk mund të shmangej absolutisht.

Në mars të vitit 2020, papritmas, ajo nuk mund të shmangej. Pandemia Covid-19 i detyroi qeveritë në të gjithë botën që të vendosnin karantina të rrepta. Sa hap e mbyll sytë, shumica e zyrave në botë u kthyen në ambiente të ndaluara. Për të mbijetuar, kompanitë kudo kanë filluar një eksperiment gjigant me punën nga shtëpia. Punonjësit e zyrave ndërruan kostumet e shtrenjta me veshjet e rehatshme të shtëpisë dhe banesat në qendër të qytetit me periferitë.

Në një ndryshim tipik për epokën e re, Google i ofroi çdo punonjësi nga $ 1,000 për të blerë mobilie zyrash në shtëpi, gjithashtu u ofroi atyre video virtuale për fitnes dhe mësime gatimi, si dhe u bëri thirrje të gjithëve që “të kujdesen mirë për veten dhe njëri-tjetrin”.

Ndërkohë që shkalla e vaksinimit po rritet në vendet e pasura, eksperimenti i punës nga shtëpia po vazhdon (shih grafikun 1). Por kjo është bërë një çështje e nxehtë debati midis drejtuesve ekzekutivë, dhe midis tyre dhe stafit të punës. Strategjitë që dalin nga këto debate do të formësojnë jo vetëm atë që do të ndodhë në muajt e ardhshëm, por edhe të ardhmen afatgjatë të punës në zyrë.

Një ndryshim është tashmë i dukshëm. Mendësia e shkuar universale kundër punës në distancë tashmë është zhdukur dhe është zëvendësuar nga një sërë qëndrimesh që variojnë në bazë të industrive dhe rajoneve. Nga njëra anë, disa kompani tani presin që të gjithë punonjësit të rikthehen në zyrat e tyre. Nga ana tjetër, kompani të tjera që po i heqin zyrat fare. Shumica e bizneseve bien diku në mes.

Mbështetësit më të flaktë të status quo-së së mëparshme janë në Wall Street. David Solomon, shefi i Goldman Sachs, e ka quajtur punën në distancë një “lajthitje”. Shefi i Morgan Stanley, James Gorman, kohët e fundit tha: “Nëse mund të shkosh në një restorant në New York City, mund të vish në zyrë”. Jamie Dimon, shefi ekzekutiv i JPMorgan Chase, ka pranuar se “njerëzve nuk u pëlqen udhëtimi për në punë, por kujt i bëhet vonë?” Këta tre shefa të bankave shqetësohen se punonjësit në distancë janë më pak të angazhuar me kompaninë dhe rrjedhimisht, më pak produktivë.

Pavarësisht nëse pajtohen apo jo me titanët e Wall Street, homologët e tyre në Europë e shohin një papajtueshmëri të tillë si një mundësi për të joshur bankierë të pakënaqur që parapëlqejnë elasticitet më të madh. UBS, një huadhënës zviceran, thuhet se do të lejojë dy të tretat e punonjësve të ndjekin një punë “hibride”, e cila kombinon disa ditë në shtëpi dhe disa në zyrë – pjesërisht si një mjet rekrutimi.

NatWest, bankë britanike, parashikon që vetëm një në tetë punonjës të rikthehen në zyrë me kohë të plotë, pjesa tjetër do të ndjekë orare hibride, ose do të punojë kryesisht nga shtëpia. Punonjësit në Deutsche Bank të Gjermanisë, do të punojnë në distancë deri në 60% të kohës. Noel Quinn, shefi ekzekutiv i HSBC, e ka përshkruar kthimin në modelet e para pandemisë si një “mundësi të humbur” dhe do të dëshironte që stafi i bankës me qendër në Azi të përqafonte punën hibride.

Shumë drejtues ekzekutivë të kompanive teknologjike duket se janë dakord me zotin Quinn. Ata shqetësohen se mandatet e rrepta të kthimit në zyrë do t’i shqetësojnë inxhinierët e softuerit. Dylan Field, bashkëthemeluesi i kompanisë Figma, që ndihmon firmat të krijojnë dhe testojnë aplikacione dhe faqe online, shqetësohet se punonjësit do të largohen nëse rregullat janë kufizuese. Punonjësit e teknologjisë kanë me të vërtetë më tepër mundësi për t’u zhvendosur nga një kompani në tjetrën.

Ndoshta për këtë arsye, në qershor, Facebook tha se të gjithë punonjësit me kohë të plotë mund të aplikojnë për punë të përhershme në distancë. Kompani si Spotify, një transmetues muzikor, Square, një firmë fintech dhe Twitter, i kanë thënë stafit se mund të punojnë në distancë përgjithmonë nëse dëshirojnë.

Tendencat e korporatave

Nëpër rajone dhe industri në të gjithë botën, është vënë re se njerëzve u pëlqen aftësia për të punuar nga shtëpia, të paktën herë pas here. Një sondazh te 2,000 të rritur amerikanë nga shoqëria e sigurimit Prudential, zbuloi se 87% e atyre që punonin nga shtëpia gjatë pandemisë, donin të ishin në gjendje ta vazhdonin këtë edhe pasi të lehtësoheshin masat kufizuese.

Sipas të njëjtit sondazh, 42% e punonjësve në distancë, thanë se do të kërkonin një punë të re, nëse u kërkohej të ktheheshin në zyrë me kohë të plotë. Vetëm një në pesë punonjës amerikanë thanë se rrallë ose kurrë nuk dëshironin të punonin nga shtëpia (shih grafikun 2). Në një sondazh të fundit me më shumë se 10,000 punonjës europianë të zyrave, 79% thanë se do të mbështesnin një legjislacion që i ndalon drejtuesit t’i detyrojnë njerëzit të punojnë në zyrë.

Punonjësit e rinj, shpesh të konsideruar si viktima të punës në distancë, i kanë pëlqyer oraret fleksibël. Personat e brezit Generation-Z, tani të moshës 16-21 vjeç, kishin më shumë të ngjarë se çdo grupmoshë tjetër që të citonin zgjedhjen personale në vend të politikave të punëdhënësve, si arsyen kryesore për të vazhduar punën në distancë, sipas një studimi nga Morgan Stanley.

Në të njëjtën kohë, shumë punonjës të të gjitha moshave, kanë ende dëshirë që të vijnë herë pas here në zyrë – qoftë edhe për të shijuar ajrin e kondicionuar gjatë kësaj vere përvëluese në Hemisferën e Veriut. Salesforce, gjiganti i programeve të biznesit, që edhe vetë zbaton një model pune në distancë, zbuloi se, megjithëse gati gjysma e punonjësve vendosën të qëndrojnë në shtëpi shumicën e kohës, katër në pesë duan të mbajnë një lidhje fizike me zyrën.

Sektori publik, shpesh punëdhënësi më i madh në një vend, po përballet me konsiderata të ngjashme. Autoriteti tatimor i Britanisë po u ofron të gjithë punonjësve të drejtën për të punuar nga shtëpia dy ditë në javë. Në Amerikë, qeveria federale parashikon që shumë nëpunës civilë do të dëshirojnë të kenë orare elastikë edhe pas pandemisë.

Irlanda, e cila dëshiron që 20% e 300,000 nëpunësve të saj publikë të punojnë në distancë deri në fund të vitit, po ofron mbështetje financiare për t’i inkurajuar ata të zhvendosen jashtë qyteteve. Shteti do të krijojë më shumë se 400 qendra që ofrojnë punë në distancë, duke e lejuar stafin të punojë më pranë shtëpisë. Indonezia ka krijuar skemën “Punë nga Bali” për nëpunësit civilë, për të ndihmuar në rimëkëmbjen e industrisë së turizmit të ishullit tropikal.

Të gjitha këto tregojnë se puna hibride do të vazhdojë në shumicën e vendeve (ndoshta me përjashtim të Wall Street). Sidoqoftë, ajo ka edhe vështirësitë e veta. Kjo lloj pune zbeh kufijtë midis jetës profesionale dhe jetës personale.

Takimet virtuale mund të jenë edhe më të lodhshme se ato ballë për ballë; ndër njerëzit që ka pranuar sa rraskapitëse janë mbledhjet online në Zoom, është vetë Eric Yuan, themeluesi i aplikacionit për video-konferenca. Oraret hibride e bëjnë të ndërlikuar menaxhimin e hapësirës për zyra, veçanërisht në një kohë kur shumë kompani, përfshirë HSBC, po planifikojnë të ulin numrin e zyrave.

Po të kishin në dorë të zgjidhnin, shumica e punonjësve australianë do të parapëlqenin të punonin nga shtëpia të hënën dhe të premten, sipas firmës këshillimore EY. Edhe pse menaxherët dyshojnë se kjo zgjedhje është një përpjekje e dukshme për të zgjatur fundjavën, kjo do të thotë se zyrat do të ishin shumë më të ngarkuara të mërkurën, zgjedhja më pak e preferuar për punën nga shtëpia, sesa në fillim dhe në fund të javës së punës.

Disa kompani duan t’i lënë njerëzit që të vijnë në zyrë kur të duan. Të tjera po bëhen krijuese. Zoti Field nga kompania Figma i jep stafit një zgjedhje: të punojë në distancë me kohë të plotë ose, nëse vijnë të paktën dy herë në javë, mund të kenë një tryezë pune në zyrë.

Snowflake, një firmë për administrimin e të dhënave, do të lejojë njësitë individuale të vendosin vetë se si të organizohen. Shumë kompani, përfshirë gjigantë si Apple, e kanë kapërcyer problemin duke vendosur ditët kur punonjësve u kërkohet të jenë të pranishëm në zyrë.

Rikthimi i normalitetit

Rikonfigurimi i papritur i jetës së punës po çon në fërkime. Punonjësit që duan më shumë fleksibilitet, po hasin kundërshti nga punëdhënësit që bëjnë thirrje për t’u kthyer në normalitetin para pandemisë. Disa nga punonjësit e Apple e kanë kritikuar kërkesën e gjigantit të teknologjisë për të punuar në zyrë tre ditë në javë si një kërkesë “shpërfillëse dhe e pavlefshme”. Afl-cio, federata më e madhe e sindikatave në Amerikë, po përballet me ankesa të shëndetit dhe sigurisë nga stafi i saj, lidhur me masat për t’i sjellë punonjësit sërish në zyrë, mes frikës së rrezikut të vazhdueshëm të infeksionit gjatë udhëtimit në transportin publik.

Mosmarrëveshje të tilla po përhapen nëpër sallat e bordeve. Disa aksionerë, përfshirë investitorët e mëdhenj institucionalë, janë të etur për të promovuar punën fleksibël, jo vetëm për të ruajtur talentin, por edhe për të rritur kredencialet mjedisore, sociale dhe të qeverisjes (ESG) të kompanive. S&P Global, shoqëri analitike, thotë se sipas vlerësimit të saj, aftësia për të punuar nga shtëpia është një masë e shëndetit publik dhe e mirëqenies së punonjësve, e cila mund të ndikojë deri në 5% të vlerësimit ESG të një firme.

Kjo është përafërsisht e njëjta peshë që lidhet me menaxhimin e rrezikut dhe krizës për bankat, ose masat e të drejtave të njeriut për minatorët. Mund të ndikojë edhe në faktorë të tillë si gjinia dhe diversiteti racor. Studimet zbulojnë se nënat kanë më shumë gjasa se baballarët që të favorizojnë punën nga shtëpia. Kërkimet nga Slack, një aplikacion për mesazhe, zbuluan se vetëm 3% e punonjësve me ngjyrë në Amerikë duan të kthehen në zyrë me kohë të plotë, krahasuar me 21% të homologëve të tyre të bardhë.

Kompanitë duhet të marrin parasysh shumë gjëra të tilla, edhe kur merren me polemika afatshkurtra, si çështja nëse do të ndalojnë apo jo punonjësit e pavaksinuar të vijnë në zyrë. Megjithëse ishte përçarës, tranzicioni i papritur i vitit të kaluar drejt punës në distancë, për ironi të fatit, mund të rezultojë më i butë sesa kalimi drejt atij që mund të konsiderohet si normalitet në epokën post-pandemike.

/Burimi: Monitor.al/

 

 

 

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *