Viti 2020 bashke me murtajën e koronavirusit solli për Shqipërinë një thellim të krizës ekonomike, papunësi, shtim të pastrimit të parasë, qarkullim paraje informale, nivel të lartë kash-i jashtë bankave, si dhe një rritje të falsifikimit të monedhës kombëtare.
Konstatimin e ka bërë vetë Banka e Shqipërisë, e cila përveç prodhimit të statistikave për këtë çështje, ka edhe detyrimin ligjor që të marrë të gjitha masat për ta frenuar këtë fenomen.
Por duket se BSH-ja është mjaftuar vetëm me konstatime dhe pasqyrim të statistikave.
Në raportin vjetor të 2020, BSH-ja raportoi se, është konstatuar rritje e numrit të kartëmonedhave të falsifikuara në qarkullim, ndërsa monedhat metalike vijojnë në të njëjtën tendencë krahasuar me vitet e kaluara.
Megjithatë, në vlerësimin e saj, BSH-ja edhe pse e ka evidentuar fenomenin, është justifikuar me koeficientin e kartëmonedhave të falsifikuara për 1 milion copë në qarkullim, që sipas saj, mbetet në vlera të ulëta.
Raporti
Vitin e kaluar ky koeficient arriti në 8.4 për një milion kartmonedha, nga 5 për një milion që kishte qenë në vitin 2019. Njëkohësisht, ky tregues ka prekur nivelin më të lartë të raportuar në tetë vitet e fundit. Mbështetur në këtë të dhënë dhe numrin total të kartëmonedhave në qarkullim, mund të përllogaritet se numri i kartëmonedhave të falsifikuara, të evidentuara, gjatë vitit 2020 ishte rreth 1310.
Banka e Shqipërisë bën të ditur se, pjesën më të madhe të kartëmonedhave të falsifikuara e zënë prerjet 2000 Lekë dhe 1000 Lekë, të ndjekura nga prerja 5000 Lekë dhe 500 Lekë.
Falsifikimi i kartëmonedhave shqiptare të konsatuara përgjithësisht mbështetet në teknika jo shumë të sofistikuara, si për shembull tek riprodhimet nëpërmjet pajisjeve digjitale komerciale, duke përdorur teknikën ink-jet të printimit me ngjyra, shoqëruar edhe me aplikimin metodave artizanale dhe teknologjike për imitimin e elementeve të sigurisë.
Edhe përgjatë vitit 2020, Banak e Shqipërisë bën të ditur se ka kryer aktivitete në kuadër të mbrojtjes monedhave nga falsifikimi, kryesisht të fokusuara në procesin e testimit dhe monitorimit të pajisjeve autentifikuese dhe sortuese të përdorura nga stafi profesionist.
Rekomandimet
Publikut i rekomandohet që gjatë pranimit të kartëmonedhave, të verifikojë vërtetësinë e tyre bazuar në metodën “prek, shiko, dhe ndiej”, të publikuar në faqen zyrtare të Bankës së Shqipërisë
Në fund të vitit 2020, rezultuan rreth 156 milion copë kartëmonedha në qarkullim me vlerë afërsisht 350 miliardë lekë. Në krahasim me vitin 2019, numri i kartëmonedhave në qarkullim është rritur me rreth 10.3%, ndërsa vlera e kartëmonedhave është rritur me pothuajse 15%.
Rritja e vlerës dhe numrit të kartëmonedhave në qarkullim ka qenë më e lartë se mesatarja historike dhe kjo ka ardhur kryesisht për shkak të situatës së veçantë të krijuar nga pandemia.
Shtimi i sasisë së kartëmonedhave në qarkullim është kryesisht rezultat i injektimit të lartë të likuiditetit nga Banka e Shqipërisë dhe zgjerimit të bazës monetare. Struktura e parasë në qarkullim ka ndryshuar në favor të kartëmonedhave me vlerë nominale 5000 Lekë dhe 2000 Lekë, që përbëjnë secila rreth 26% të totalit. Vlera mesatare e një kartëmonedhe në qarkullim në fund të vitit 2020 arriti në 2,242 lekë kundrejt 2,126 lekë në fund të vitit 2019.
/Burimi: BSH/