Pastrim parash/ GJKKO i jep ‘arrest në burg’ për dy bashkëpunëtorët e Rezart Taçit. Lilo kërkon lirimin: Jam thjesht shofer

Gjykata e Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka vendosur që të lihen në burg dy bashkëpunëtorët e biznesmenit Rezart Taçi, i cili është i shpallur në kërkim, Artur Balla dhe Bledar Lilo. Gjykata e Posaçme ka caktuar ‘arrest në burg’ për Ballën dhe Lilon të arrestuar për pastrim parash.

Është bërë me dije se Lilo ka kërkuar shpalljen e moskopetencës dhe lirimin e menjëhershëm pasi nuk ka lidhje me ngjarjen pasi sipas tij është thjesht një shofer.
Balla ka kërkuar shpallje të moskopetencës dhe caktimin e një mase më të butë sigurie, si ajo e arrestit në shtëpi.

Mbrojtja ka kërkuar nga SPAK t’i vihen në dispozicion provat pasi sipas tyre nuk kemi të bëjmë me pastrim parash duke qenë se shuma prej mbi 18 milionë lekësh ka mbërritur nëpërmjet bankave. “Nëse paratë kishin ardhur nga bota e krimit pse nuk u ndaluan në Zvicër”, ka deklaruar mbrojtja.

Hetimet janë kryer nga SPAK, në bashkëpunim me autoritetet italiane.

Dyshohet se personat e sipërpërmendur, kanë bashkëpunuar me dy italianë, Francesco Zummo e Fabio Petruzzella, si edhe 1 zviceran në skemën e pastrimit të parave.

Njoftimi i SPAK:

“Janë mbledhur prova se kjo skemë financiare është drejtuar nga shtetasit italian F.Z. dhe I.Z., në bashkëpunim me shtetasin italian F.P., të shtetasit zviceran me origjinë italiane D.C., si dhe të shtetasit shqiptar Rezart Taçi, i përfshirë në biznese në sektorin e naftës. Ky i fundit në funksion të kryerjes së kësaj veprimtarie ka angazhuar në këtë veprimtari personat e vet të besuar, rezidentë në Shqipëri, respektivisht shtetasin Artur Balla dhe shtetasin Bledar Lilo.

Pjesë e kësaj skeme financiare, me ndihmën e shtetasve shqiptarë të përfshirë, ka qenë edhe kryerja e disa veprimeve dhe transaksioneve bankare në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri, veprime të cilat janë realizuar vetëm pjesërisht dhe nuk është arritur që të realizohen plotësisht, për shkak të veprimeve hetimore të kryera nga ana e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Gjatë hetimeve janë mbledhur prova se ndihma në këtë rast për transferimin dhe fshehjen e shumës monetare është bërë kundrejt premtimit për marrjen e përqindjes së caktuar të përfitimit monetar, në raport me shumën monetare që është transferuar në Shqipëri dhe që do të vijonte të transferohej në vende të tjera”

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *