Alda Klosi, ish zyrtarja e kryeministrisë e cila ra pre e grabitjes nga Rozeta Dobi dhe djali i saj Havier Dobi është vënë në prangat e policisë mbrëmjen e sotme.
Mësohet se ndaj Klosit rëndojnë akuzat për veprat penale të pastrimit të parave.
Banesa e Alda Klosit u grabit pak javë në parë nga pastruesja Rozeta Dobi, e cila në bashkëpunim me të birin morën nga shtëpia e ish zyrtares një shumë parash prej 120 mijë eurosh gjatë kohës që ajo ndodhej jashtë vendit.
Ka qenë vetë Klosi ajo që ka bërë denoncimin në polici, ndërsa ka pretenduar se paratë ishin të një xhaxhait të saj i cili do të kurohej për një sëmundje të rëndë.
Policia gjeti në banesën e Dobit shumën e parave prej 120 mijë eurosh, ndërkohë që ajo u vu në pranga së bashku me të birin. Në momentin e shoqërimit për në komisariat ata u mbajtën nën përgjim nga policia ku u konstatuan duke biseduar për një shumë më të madhe parash të fshehura në banesë. Të nesërmen policia u kthye në shtëpinë e tyre për kontroll ku gjeti në tubin e aspirimit më shumë se 400 mijë dollarë.
Dëshmia e Alda Klosit:
I është marrë deklarim të dëmtuarës Alda Klosi e cila në lidhje me sendet e gjetura ka deklaruar se, gjatë kësaj kohe ka menduar me qetësi për sendet që ka patur dhe deklaron se ditën e ngjarjes i janë vjedhur një shumë në valutë të huaj më shumë se 120.000 (njëqind e njëzetmije) euro, të cilat kanë qenë në prerje 500 (pesëqindëshe) dhe 200 (dyqindëshe) si dhe një shumë prej 30.000 (tridhjetëmijë) dollarë të cilat kanë qenë prerje 100 (njëqindëshe). Deklaron se këto para i kishte të xhaxhait dhe nuses së xhaxhait të saj i cili i’a ka lënë për të kompletuar shtëpinë e tyre dhe për nevoja të tyre pasi xhaxhain e ka të sëmurë me kancer dhe për çdo nevojë që do të kishte, pasi djali i tyre është me probleme dhe këto lekë janë të mbledhura ndër vite nga ana e tyre pasi jetojnë në Amerikë dhe në këtë kohë ai po kurohet në Amerikë.
Deklaron se ka patur një unazë floriri me medalionin e shën mërisë, një unazë floriri të bardhë me gurë të kuq, një unazë me flori të bardhë dhe me tre gurë, vathë të ndryshme me përmasa dhe forma të ndryshme, një palë vëthë me emoi, një varëse floriri me kryq dhe me shën meri, një palë vëthë floriri në formë triangolo, një unazë flori me tre gure diamandi. Një çantë me ngjyre blu dhe të bardhë e markes Valentino, një portofol me ngjyrë bezhë e markës Valentino.