Kryeministri Rama ka folur sërish për çështjen e e patronazhistëve. Kreu i qeverisë tha se fushata e François Hollande pati një vlerë të shtuar, falë rrjetit të patronazhistëve. Sipas kryeministrit, ata studiojnë shqetësimet e qytetarëve dhe më pas ua përcjellin ato deputetëve të zonës. Më pas, deputetët e zonës ua përcjellin institucioneve.
“Në SHBA këta quhen kanverser dhe në Francë p.sh., dihet botërisht që fushata e Fransua Holondit (François Hollande) pati një vlerë të shtuar pikërisht sepse u mbështet te një rrjet i jashtëzakonshëm patronazhistësh dhe patronazhistësh nuk vënë kushte. Patronazhistët në komunikimin me qytetarët derë më derë, marrin perceptime. Pra, nëse konstatojnë që një qytetar ka një shqetësim, ka një hall, thotë p.sh., për rastin konkret: “Jam i dyzuar sepse kam kaq kohë që pres legalizimin” etj., etj., ata patjetër që shënojnë dhe të gjitha këto shqetësime dhe halle u përcillen deputetëve të zonave. Deputetët e zonave ua përcjellin institucioneve. Patronazhistët tanë nuk janë tanimë thjesht persona që angazhohhen në muajin zgjedhor. Patronazhistët tanë janë vullnetarë të PS-së që janë të angazhuar gjatë të gjitha viteve, gjatë të gjithë muajve, gjatë të gjithë kohës”, tha Rama për ‘Report Tv’.
I pyetur nëse ftesa e tij ndaj Bashës për bashkëpunim pas 25 prillit është një kurth, Rama tha se ai do që të mbështesë të gjithë qytetarët, edhe ata që nuk e kanë votuar.
“S’ka lidhje fare. Unë nuk merrem me kurthe. Unë di që PS-ja do të fitojë zgjedhjet dhe unë di që dua dhe do të jem kryeministri i të gjithë shqiptarëve, jo thjesht në sensin e të qenit shefi i qeverisë që punon për të gjithë se për të gjithë punojnë të gjitha qeveritë, por në sensin e të qenit kryeministri tek i cili të gjithë shqiptarët, pavarësisht se më kanë votuar apo jo, të shohin njeriun e bashkimit, jo të ndarjes, të shohin njeriun e solidaritetit me të gjithë dhe jo të përçarjes, të shohin njeriun që është pikë referimi për të gjithë. Këtë dua dhe do të bëj unë”, u përgjigj Rama.