‘Patronazhistët’/ Rama: Databaza që doli nuk është e PS-së, e keni manipuluar, shtuat të dhëna  

Kryeministri Edi Rama, ka mohuar që databaza me të dhënat personale, investigim i publikuar nga portali “Lapsi.al” para zgjedhjeve të 25 prillit, të jetë e Partisë Socialiste.

I ftuar në “Të Paekspozuarit”, ndryshe nga çfarë kishte thënë më herët në lidhje me skandalin e publikimit të të dhënave personale, kryeministri Rama mohoi gjithçka këtë herë.

Nëse më herët fokusohej në mbrojtjen e patronazhistëve duke argumentuar se në kartat e identitetit nuk ka të dhëna personale, mbrëmjen e sotme, Rama tha se, në fakt databaza e të dhënave të PS-së nuk ka në thelb kartat e identitetit.

Duke iu drejtuar Armand Shkullakut, një prej botuesve të “Lapsi.al”, Rama tha se, të dhënat e marra nga patronazhistët e PS-së janë vjedhur, shtuar e manipuluar.

Pjesë nga biseda:

Rama: Nga të gjitha ato që thuhen është pjesa më qesharake, sepse patronazhistët nuk janë shpikje e jona sepse janë pjesë e të gjithë forcave politike, që nga republikanët në Amerikë, apo partitë ne Europë, që janë më shtrirje forcash në territor. Ajo që ne bëjmë, përpiqemi prej kohësh të kemi një makineri elektorale që shtrihen në mënyrë kapilare ne territor. Bëhet radiografi e elektorati duke prekur cdo qelizë, që është votuesi.

Rakipi: Keni përdorur një databazë nga e-albania, me të dhëna sensitive?

Rama: Nuk kemi përdorur databazë me të dhëna sensitive. Nuk ka lidhje e-albania fare. Është e krijuar prej shumë vitesh dhe pasurohet vit pas viti sepse ndërrojnë banorët dhe lëvizin. Në media dhe debatin publik është folur për një databazë që nuk është databaza jonë, por është fakt i njohur që regjistri i gjendjes civile ka qenë në internet i aksesueshëm deri në momentet kur u hap ky muhabet. Për më tëpër karta jonë e ID nuk është me të dhëna sensitive, siç janë në vende të tjera.

Shkullaku: Jam dakord që çdo parti ka patronazhistë dhe të kontaktojë njerëz është normale. Ajo që nuk bie dakord me zotin Rama është që të dhënat nuk janë të siguruara nga PS, sepse PS nuk mund të ketë kartat e ID. Që ju këtë kartë ta keni patur në PS është e pamundur. Kjo ka qenë databazë e AKSHI, e aksesueshme nga PS dhe Bashkia e Tiranës. Aty nuk ka patur vetëm kartat e ID, por vendi i punës. Në momentin që doli një gjë e tille, asnjë nga organet e drejtësisë nuk bëri as minimum për të parë dhe verifikuar.

Rama: Kjo është hipotezë nuk është fakt. Hipoteza që janë marrë nga AKSHI nuk bazohet në fakt. Ajo që ka dalë nuk është databazë e PS. Është bërë hetim shumë i thelluar nga Komisioneri i të Dhënave Personale, kanë ardhur në PS, kanë bërë të gjithë punën e tyre sepse kanë detyrimin kushtetues dhe ligjor të garantojnë mbrojtjen e të dhënave personale.

Shkullaku: Unë po them janë marrë nga e-albania.

Rama: Jo nuk është e vërtetë. Ajo është databazaë e manipuluar, sepse PS nuk ka patur kurrë karta ID.

Tela: Nuk ka karta ID por ka numra kontakti. Regjistri i gjendjes civile që thoni është në internet, ka të dhëna deri në vitin 2008. Nga viti 2008 deri në vitin 2021, nuk ka më regjistër online. Aplikacioni që u shpërnda pasi u bë publik investigimi tregoi se persona që ndodheshin edhe jashtë vendit, me numrat e tyre që i kishin dhënë në ambasada dhe konsullata. Një person që ka vënë një numër telefoni pas 5 muajsh dhe rezulton në databazë, është e dhënë që nuk është marrë nga patronazhistët.

Shkullaku: Nuk ka dilemë që është marrë nga AKSHI.

Rama: Nuk ka fakt. Kjo që njerëz jashtë shtetit kanë dhënë numrin në ambasada, ç’lidhje ka me AKSHI? Ata janë jashtë shtetit.

Tela: Kanë aplikuar për pasaportë dhe kanë lënë numrin e telefonit në e-albania.

Rama: Ajo që keni nxjerrë ju është databazë e manipuluar.

Shkullaku: Ne kemi shpikur patronazhistët?

Rama: Është databazë e manipuluar. Patronazhistët janë ata që janë dhe unë jam krenarë për ta. Në databazën tonë nuk ka karta ID. Gjëja më e denjë që mund të bënit, të shkonit në organet e drejtësisë, të dorëzoni bazën e të dhënave që keni përdorur, duket kollaj nëse keni bërë ndërhyrje.

Edi Rama: AKSHI s’ka dhënë kurrë të dhëna për patronazhistët. Ç’lidhje kanë me AKSHI-n ata që aplikojnë për ID apo pasaporta.

Andi Tela: Sepse kanë të dhëna në e-albania.

Edi Rama: Nuk është e vërtetë.

Armand Shkullaku: Që është e PS-së, është e PS-së.

Edi Rama: Ajo që keni nxjerrë ju, se tani u kujtova që e keni nxjerrë ju, është e manipuluar.

Edi Rama: Jo,jo, është e manipuluar, është kollaj fare ta bësh

Armand Shkullaku: Pra kemi shtuar patronazhistë?

Edi Rama: Jo jo, patronazhistët janë ata që janë dhe jam krenar për ta, por janë shtuar të dhëna

/Burimi: MCN Tv/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *