Për momentin nuk ka asnjë përgjigje nga shumica parlamentare për ofertën e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) për dalje nga kriza politike dhe institucionale në të cilën u gjend Mali i Zi pas miratimit të Ligjit për Presidentin më 1 nëntor.
Me atë ligj, shumica, e cila përbëhet nga Fronti Demokratik pro-Rus (DF), Demokratët dhe Lëvizja URA, kufizon kompetencat kushtetuese të presidentit Milo Gjukanoviq dhe i transferon ato në Kuvend.
Për PDSH-në ky ligj është një grusht shteti kushtetues, opinioni ekspert e vlerësoi si antikushtetues, ndërsa ndërkombëtarët shprehën shqetësimin.
Gjukanoviq si president i vendit duhet ta nënshkruajë këtë ligj ose t’ua kthejë deputetëve për rivotim deri të premten e 4 nëntorit në mesnatë.
Ndërkohë, DPS-ja e tij i bëri thirrje shumicës parlamentare që të braktisë ligjin dhe shprehu gatishmërinë për negociata për zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese, e vetmja kompetente për të vlerësuar kushtetutshmërinë e këtij ligji, është jofunksionale sepse ka vetëm tre nga shtatë gjyqtarët e paraparë.
“U bëjmë thirrje të gjitha subjekteve politike, e veçanërisht shumicës parlamentare, që përmes dialogut të vijnë në një zgjidhje për funksionalizimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese dhe organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare”, tha DPS.
Ambasadorët e Quinte janë të shqetësuar për situatën në Mal të Zi
Ambasadorët e vendeve të Quinte në Mal të Zi kërkuan dialog mes subjekteve politike, të cilët në një deklaratë të përbashkët më 3 nëntor vlerësuan se po i ndjekin me shqetësim ngjarjet politike.
“Institucionet demokratike, institucionet e shtetit të së drejtës dhe respektimi i Kushtetutës, me të cilat duhet të harmonizohen të gjitha aktet ligjore, janë kushti themelor që Mali i Zi të funksionojë efektivisht, si shtet i qëndrueshëm demokratik”, thanë ata.