PD: Abuzimet trashanike të Ramës, shqiptarët do t’i paguajnë me 110 milionë euro

Partia Demokratike shprehet se detyrimet e shtetit shqiptar ndaj Francesco Becchetit pas vendimit arbitrar të Edi Ramës për mbylljen e televizionit në pronësi të tij do t’i paguajnë taksapaguesit shqiptarë.

Në një deklaratë për mediat, zëdhënësia e PD Floriana Garo tha se detyrimi prej 110 milionë euro është një marrësi qeveritare, vetëm pasi kryeministri Edi Rama kërkon t’i ‘mbyllë gojën atyre që nuk këndojnë refrenin që ai dëshiron të dëgjojë’.

Garo tha se shuma do të dalë nga arka e shtetit dhe se dëmi ka ardhur vetëm për inate personale dhe jo për beteja të cilat lidhen për të mirën publike.

Deklarata e plotë:

Edhe 145 mijë euro të tjera do t’i shtohen 110 milionëve që shteti shqiptar i detyrohet Francesco Becchetit pas vendimit arbitrar të Edi Ramës për mbylljen e televizionit në pronësi të tij.

Një gjykatë ndërkombëtare nuk e ka pranuar kërkesën e qeverisë për anulimin e vendimit të arbitrazhit duke ia ngarkuar shtetit shqiptar edhe shpenzimet e gjyqit. Kjo e rrëzon përfundimisht pretendimin e Ramës se Beccheti nuk e ka fituar gjyqin, dhe se shteti shqiptar nuk i detyrohet biznesmenit italian. Ajo që mbetet është fakti se nga arka e shtetit do të dalin 110 milionë euro për një marrëzi qeveritare. E gjitha me oreksin e Ramës për të mbyllur gojët që nuk këndojnë refrenin që ai dëshiron të dëgjojë.

Vendimi mund të ketë qenë i Ramës por kostot i merr përsipër taksapaguesi shqiptar. Të jemi të qartë: Rama nuk paguan asnjë kacidhe për vendimin që ai vetë e ka marrë. Shuma do të dalë nga arka e shtetit, thënë ndryshe nga xhepat e qytetarëve shqiptarë. Kështu ndodh kur qeveria merr vendime që dëmtojnë, jo vetëm lirinë e shprehjes, por edhe kursimet publike. Janë me qindra milionët që shteti shqiptar humbet në gjykatat ndërkombëtare për arsye të vendimeve të pamenduara, arbitrare të qeverisë. Përveç Becchetit me 110 milionë, Edi Rama ka beteja të hapura edhe me dy pronarë të tjerë mediash, të cilët i kanë dërguar në arbitrazh abuzimet e qeverisë ndaj tyre. Qeveria është në të drejtën e vet të bëjë betejat e saj, por vetëm për të mirën publike, jo inate personale, dhe jo me paratë e taksapaguesve.

Partia Demokratike po përgatit dosjen për “rastin Beccheti” dhe raste të tjera të arrogancës dhe abuzimeve trashanike të Ramës, për të cilat kanë paguar e po paguajnë qytetarët shqiptarë.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *