Çlirim Gjata, anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, në një takim në Dibër ku po prezantohet kandidati i opozitës për kryetar bashkie, Ismail Uka, bëri një denoncim në lidhje me veprimtarinë e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, njëherësh ministre e Energjitikës dhe Infrastrukturës.
Gjatë fjalës së tij, Gjata tha se Balluku bashkë me administratën e saj në Tiranë janë përqendruar të gjithë në Dibër për të realizuar projektin për Skavicën, që sipas tij, do të zhdukë nga harta këtë qark.
“Administrata duhet t’u kthehet qytetarëve dhe të punojë për ta. Përse Belinda Balluku është transferuar me gjithë administratën e Tiranës dhe ministrinë e saj në Dibër? Ca interesi ka? Ka interesin e asaj ‘kuçedre’ që po vendoset në Skavicë dhe zhdukë Dibrën nga harta, ndërsa për ta do sjellë përfitim dhe pasurime me qindra mln dollarë. Ky është shkaku që po ngulojnë kaq fortë. Nuk i bëhet vonë se çfarë ndodh me jetën dhe historinë e Dibrës. I intereson pasurimi. Ky është shkaku që kërkojnë. Ndaj ky është shkaku që duhet ta marrim Dibrën se nuk kemi toka shqiptare për ta privatizuar. Edi Rama është bërë sëmundja e pelagrës, sëmundja e varfërisë dhe kequshqyerjes”, tha Gjata.