Blendi Fevziu ka folur për humbjen e thellë të opozitës në zgjedhjet e 14 majit, të cilën e cilësoi si jashtë çdo pritshmërie. I ftuar në një emision televiziv , Fevziu deklaroi se ka një numër arsyesh që sollën disfatën e opozitës.
I pyetur nëse rezultati i zgjedhjeve është i ndikuar nga blerja e votave dhe përdorimi i makinerisë shtetërore, Fevziu tha se nuk mund të përdoret blerja e votës si justifikim për një dekadë, sepse kjo do të thotë që lidershipi i opozitës është i paaftë.
“Zgjedhjet patën probleme të barazisë. Nuk kishin vulën, siglën, financimin, u përçanë, nuk ishte emri i Berishës në koalicion. U fol për rritje rrogash në mes të fushatës nga qeveria që nuk është e ndershme. U la të kuptohej që nuk do të mbështeten kryetarët e bashkive që vijnë nga opozita. Por këto gjëra diheshin edhe më parë dhe opozita thoshte se do të fitonte.
Makineria shtetërore në puna ka qenë. Blerja e votës? Nuk e di. Këtë e thua një herë, dy herë, tre herë, por nuk mund të shtysh një dekadë me këtë. Ose je i paaftë pastaj dhe mos dil në zgjedhje. Blerja e votës nuk ndodhi të dielën mbasdite, ajo dihej. Një gjë edhe kur është e vërtetë, bëhet e pabesueshme kur thuhet kaq herë. Një forcë politike nuk vjen dot në pushtet nëse nuk fiton Tiranën. Në Tiranë është diferenca 60 mijë vota“, deklaroi Fevziu.