Anëtari i Kryesisë së PD-së, Grigels Muçollari ka denoncuar sot te tjera produkte të rrezikshme që kanë hyrë në Shqipëri. Muçollari ka prezantuar tre dokumente të ardhura nga sistemi RASFF i Komisionit Europian, ku bëhet e ditur se në Shqipëri ka hyrë biskota me copa metali për fëmijë, ka hyrë qumësht i rrezikshëm dhe domate me nivel të lartë pesticidi.
“Mungesa e sigurisë ushqimore në vend është tronditëse dhe me pasoja të rënda për shëndetin dhe jetën e qytetarëve. Të gjitha dështimet dhe korruptimet e Rilindjes në këto 11 vite kanë lënë gjurmë në jetën e secilit. Por pasiguria ushqimore ka efekte të pakthyeshme, dhe këtë e tregojnë shifrat në rritje të sëmundjeve, që vijnë kryesisht nga ushqimet e dëmshme.
Sot do të bëjmë publike 3 raste që dëshmojnë se sa kriminale është qeveria dhe levat e saj. Autoritetet e vendeve fqinje dhe të BE njoftojnë se produkte me përmbajtje të lëndëve të rrezikshme janë futur ne territorin shqiptar dhe kanë përfunduar në treg. Qeveria Shqiptare, nëpërmjet AKU dhe institucioneve të tjera ligjzbatuese, nuk kryejnë detyrën e parashikuar në ligj. Ky mosveprim do të thotë që lëndë të dëmshme, helmuese, apo kancerogjene futen në trupin e fëmijëve, të moshuarve e të çdo shqiptari që i konsumon. Nga ky sulm, do të duhej të na mbronte qeveria, me Agjencinë Kombëtare të Ushqimit.
Sipas këtij dokumentit të siguruar nga sistemi RASFF i Komisionit Europian, Italia fqinje na bën me dije që në territorin shqiptar është futur një sasi me biskota për fëmijë me përmbajtje copëza metali të panjohura.