PD denoncon/ Qeveria pezullon nga puna mësuesit që kandidojnë për këshillat bashkiakë

Një denoncim i fortë është bërë sot nga Partia Demokratike, teksa në prag të zgjedhjeve lokale të 14 Majit, nga qeveria ka nisur një “reprezalje” ndaj mësuesve që mbështesin opozitën dhe që janë regjistruar si kandidatë në listat për këshillat bashkiakë.

Drejtuesja e Departamentit të Arsimit, Lili Sula tha për mediat se Ministria e Financave ka urdhëruar pezullimin nga puna të mësuesve që kandidojnë për koalicionin “Bashkë Fitojmë”.

Sipas saj, janë urdhëruar titullarët e Shkollave të mesme profesionale, Drejtoritë rajonale të formimit profesional publik, Drejtoritë rajonale të Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive – për të pezulluar nga puna mësuesit që janë pjesë e listave të opozitës për këshilltarë.

DEKLARATA PËR MEDIA:

Ministria e Financave ka urdhëruar titullarët e Shkollave të mesme profesionale, Drejtoritë rajonale të formimit profesional publik, Drejtoritë rajonale të Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive – për të pezulluar nga puna mësuesit që kandidojnë për anëtarë të këshillave bashkiakë – duke u shprehur tekstualisht se, nëse ata janë regjistruar si kandidate për këshillat vendorë… drejtuesit duhet të njoftojnë menjëherë pranë Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive me qëllim që të ndjekim procedurat e pezullimit nga detyra.

U bëjmë me dijë urdhëruesve se baza ligjore që kanë cituar nuk ka asnjë lidhje me objektin e kërkuar dhe konkretisht: pika 3, e nenit 63, të Ligjit nr. 10 019, datë 29.12.2008 Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, merret me regjistrimin e subjekteve zgjedhore dhe kandidatëve. Nenet 45 dhe 69 të Kushtetutës përcaktojnë liritë dhe të drejtat politike duke përjashtuar nga e drejta e zgjedhjes disa kategori, por në asnjë rast mësuesit. As neni 45 e as neni 69 nuk ndalojnë e as nuk kufizojnë të drejtën e kandidimit për mjekët, mësuesit, pedagogët dhe specialistë të tjerë.

Urdhri që i është dërguar institucioneve arsimore hapet me pikën 2 të nenit 6, Të drejtat dhe detyrimet e punonjësit të administratës civile të Vendimit te Komisionit Qendror tè Zgjedhjeve nr. 9, datë 24.12.2020 “Për rregullat e raportimit të veprimtarive me karakter publik te çdo institucioni publik e me kapital shtetëror, agjencive, enteve shtetërore, kategoritë e veprimtarive të ndaluara…”, sipas të cilit “punonjësi i administratës shtetërore i cili është regjistruar si kandidat për zgjedhje pezullohet nga detyra nga momenti i regjistrimit të tij si kandidat deri në datën e përfundimit të numërimit të votave në zonën ku kandidon. Për nëpunësi, marrëdhënia e ë cilëve rregullohet nga Kodi i Punës, në rastet kur nuk njoftojnë për kandidimin në zgjedhje merret masa për ndërprerjen e marrëdhënies së punës.”; dhe mbyllet me një “rikujtesë” për përmbushjen e detyrimit ligjor duke iu referuar të njëjtit dokument i cili i referohet punonjësve të administratës civile e nuk përmendet askund mësuesi.

Partia Demokratike denoncon me forcë presionin dhe shantazhin institucional që po ushtrohet ndaj mësuesve, si një akt flagrant e në të shkelje të të drejtave të individit e njëherësh si kërcënim i drejtpërdrejtë për mësuesit për të hequr dorë nga angazhimi qytetar dhe intelektual në dobi të komunitetit si kandidatë për këshilla bashkiakë. Presioni që i është përcjellë titullarëve të institucioneve me shkrim dhe verbalisht për të pezulluar nga puna mësuesit është plotësisht i jashtëligjshëm, madje bie ndesh me çdo nen të Kushtetutës e Kodit Zgjedhor që citojnë shantazhistët shtetarë si dhe me të gjitha aktet nënligjore. Partia Demokratike dënon të gjitha format e presioneve dhe intimidimeve që shprehen ndaj çdo komuniteti profesionistësh e ndaj çdo qytetari në fushatë zgjedhore. Partia Demokratike i siguron mësuesit se veprimtaria e tyre si kandidatë të këshillave bashkiakë ne Shkodër e në çdo rajon të vendit është në përputhje të plotë me Kushtetutën tonë dhe gjithë aktet ligjore në fuqi.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *