Nënkryetari i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashki ka dorëzuar sot në Kryesinë e Kuvendit projektligjin për lustracionin.
Me anë të një deklaratë për media, Bylykabashi u shpreh se ajo që është me rëndësishme është se ky ligj do të zgjidhë çështjen e hapjes s dosjeve për të gjithë shqiptarët.
“Ne e depozitojmë me qëllim që funksionet drejtues të shtetit shqiptar dhe një seri institucionesh të rëndësishme, drejtuesit e aparatit të dhunës në Sigurimin e Shtetit, bashkëpunëtorët e Sigurimit dhe drejtuesit e Partisë së Punës të mos kenë më funksione në politikë. Ky ligj i shkon deri në fund problemit dhe bazohet te eksperienca e mëparshme dhe ligji i vitit 2008.
Ne gjykojmë që përputhshmëria është e plotë, sepse është e njëjta bazë kushtetuese që u përdor për të larguar kriminelët nga politika. Pra baza kushtetuese është e re, është një nen kushtetues dhe është ligj që do të miratohet me 3/5 dhe kemi marrë parasysh ndarjen e pushteteve dhe garancitë për këto. Ajo që është më e rëndësishme për të gjithë shqiptarët në këtë valë debati, është se ne siç e kishim premtuar vijmë me këtë ligj që garanton hapjen e plotë dosjeve, se çdo qytetar mund ta shohë dosjen e vetë”, tha Bylykbashi.