Kryetari i komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj e ka krahasuar Sali Berishën me Enver Hoxhën, sa i përket qëndrimit që ai ka mbajtur në raport me ndërkombëtarët. Alibeaj tha se Berisha kërkonte që të bënte në Shqipëri një lëvizje anti-amerikane.
“E pra, qëndrimi që mban sot Sali Berisha ndaj Mbretërisë së Bashkuar, SHBA-ve, është i njëjti si qëndrimi që mbante Enver Hoxha anglo-amerikanëve. Në fakt, ajo se çfarë realisht Sali Berisha kërkonte të bënte në Shqipëri, ishte të krijonte një lëvizje anti-amerikane. Për herë të parë në tre dekada demokraci dhe për herë të dytë pas Enver Hoxhës, në historinë e shtetit dhe të kombit shqiptarë, fillonte kjo lëvizje. Që prej shpalljes non grata nga SHBA-të, inkurajues i korrupsionit madhor dhe minuesi i demokracisë, Sali Berisha ka provuar të godasë Amerikën herë me shpatë të madhe, herë me biçak, herë me qitje të largët e herë me baltë. Qytetarët e Beratit dhe Shqipërisë do vlerësojnë këtë qëndrim që kemi mbajtur. Ndaj sot unë e them me bindje që sfidën e parë që një parti ka, ruajtjes së pozicionit politik, qëndrimit politik, ne e kemi fituar. Do të na vlerësojnë qytetarët, në këto zgjedhje që është shumë i rëndësishëm, këshillin bashkiak, por sfidën e parë e kemi fituar. Sfida jonë nuk mbaron tani. Më 14 Maj. Është guri i parë i themelit për të ndërtuar një PD ashtu siç është ëndërruar 33 vite më parë,” shtoi ai.
Në këtë kuadër, Alibeaj, ka prezantuar sot krijimin e Këshillit Euroatlantik, një organ këshillimor pranë Partisë Demokratike. Sipas Alibeajt, një nismë e tillë do ta kthejë PD në një alternativë qeverisëse për të nesërmen.
“Sot është një ditë e rëndësishme për mua personalisht, për Partinë Demokratike , për rrugën tonë të përbashkët dhe të ardhmen e kësaj partie. Sot ,ne ndërmarrim një nismë, e cila është një hap tjetër për të garantuar ecurinë e Partisë Demokratike drejt vlerave dhe parimeve për të cilat ajo u formua dhe mbi të cilat do të vazhdojë rrugëtimin e saj politik edhe në të ardhmen. Një nismë ,e cila do t’i shërbejë Partisë Demokratike në sfidat dhe betejat politike që ajo ka përpara në funksion të një Partie më të fortë, më të sigurt dhe më të bindur drejt të ardhmes së saj. Për t’i dhënë Shqipërisë një të djathtë moderne, një forcë politike që ka në themel të saj lirinë, shtetin e së drejtës dhe demokracinë, që ka në themel të saj vlerat perëndimore dhe euroatlantike. Një Parti Demokratike pra, që do të jetë padyshim alternative qeverisëse e së nesërmes dhe për të cilën Shqipëria ka kaq shumë nevojë.
Me qëllim realizimin e objektivave tona të përbashkëta, në cilësinë e Kryetarit të Partisë Demokratike dhe kompetencave që më jep statuti i saj, kam kërkuar formimin dhe ngritjen e një organi këshillimor, i cili do të quhet Këshilli Euroatlantik pranë Partisë Demokratike”, tha Alibeaj.
Ai ka prezantuar edhe funksionin e këtij Këshilli.
“Ky këshill, do të ketë funksion këshillimor për sa i përket vendimmarrjeve, linjës dhe orientimit politik të Partisë Demokratike. Gjithashtu Këshilli dhe anëtarët e saj do të kenë autorizimin e Partisë Demokratike të shpërndajnë kudo që munden, në media, ne forume apo tavolina të ndryshme diskutimesh vlerat e Partisë Demokratike, kauzat e saj politike dhe orientimin e saj properëndimor”, tha Alibeaj.
Këshilli do përbëhet nga këta anëtar
1. Edmond Trako –Deput i PD në legjislaturën e parë
2. Eduard Prodani –Student i Dhjetorit, bashkethemelues i forumit rinor të PDSH
3. Fatos Hoxha –ish-deputet i PD 2009-2013
4. Gjergji Hani –ish i dënuar politik në moshën 16-vjeçare në 1985
5. Marcel Hila –Aktivist i degës se Partisë Demokratike Shkodër qe ne vitin 1990
6. Neli Demi –psikiatër, terapist
7. Nevila Nika – Profesoreshë, historiane, ish-drejtoreshe e Arkivit të shtetit
8. Omer Stringa –profesor i ekonomisë, ish-dekan i fakultetit ekonomik
9. Preç Zogaj –themelues i Partisë Demokratike, drejtor i gazetës së parë opozitare RD
10. Rushdi Keci –profesor, ish Prefekt i Tiranës
11. Vasil Gjika –ish deputet i PD-së ,92-96