Partia Demokratike ka tentuar të depozitojë ditën e sotme një kallëzim penal në SPAK në lidhje me aplikacionin ‘Aktivisti’.
Por, ky kallëzim nuk është pranuar duke kërkuar që të dorëzohet me postë. Lajmin e bëri të ditur, në një deklaratë për mediat deputeti Oerd Bylykbashi.
Ai ndër të tjera tha se në këtë kallëzim të përgatitur, paditen nga kryeministri, ministrat deri tek zyrtarët e administratës që përdorin këtë aplikacion për të kontrolluar zgjedhësit.
“Aplikacionin Aktivisti të PS përmes të cilit kallëzojmë Ramën kryeministër, minsitrat, zyrtarë të lartë të PS, drejtues bashkise, që në mënyrë kriminale përdorin një app në shkelje të gjithë rregullave, ligjit e kodit penal, në shkelje të rekomandimeve prioritare.
Ky kallëzim dorëzohet sot për të gjithë këta zyrtarë të lartë që kanë konsumuar vepra penale të rënda si korrupsion zgjedhor apo thyerjes të normave të kodit penal në lidhje me mbrojtjen personale të njerëzve e vepra të tjera penale, ne do e cojmë para këtë kallëzim.
Kërkojmë nga SPAK të veprojë me forcë nuk mund të tërhiqet zvarrë një cështje e tillë.
Ka të bëjë me kontrollin e zgjedhësve, kontrollin sistematik me plan kriminal, e ka burimin nga kryeministri i shtrirë në gjithë adminsitratën duke dhunuar haptaz të drejtat e zgjedhësve.
Nëse SPAK do gjejë vullnetin të vihen para përgjegjësisë këta individë që po dhunojnë të drejtat e zgjedhësve shqiptarë, është barrë e prokurorisë të gjejë prova të tjera”, tha Bylykbashi.