PD kallëzon në SPAK ministren Balluku: Qytetarët shqiptarë nuk mund të mbajnë mbi shpinë korrupsionin e kësaj pakice

Deputeti i Partisë Demokratike Helidon Bushati u shpreh në një dalje për media se vendi nuk ndodhet në një krizë energjitike por përballë korrupsionit të qeverisë së Edi Ramës

Ai tha se Partia Demokratike nuk do të mjaftohet vetëm me denoncime të skandaleve, por do të dorëzojë në SPAK kallëzim penal për drejtuesen e Ministrisë së Infrastrukturës Belinda Balluku.

Gjatë fjalës së tij ai theksoi se drejtësia duhet të veprojë dhe duhet t’i japë fund abuzimeve dhe shpërdorimit të taksave të shqiptarëve.

Deklarata e plotë:

“Ministria e Infrastrukturës, që është edhe ministria mbi të cilën bie edhe pesha e keqmenaxhimit dhe korrupsionit për situatën energjitike në vend, për të cilën do të merren 200 milionë euro borxh, që do të paguhen nga taksat e shqiptarëve, ka shpallur fitues të tenderit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, një bashkim kompanish turke, e cili ka ofruar rreth 12 milionë dollarë më shumë se oferta më e ulët. Pra, në garën midis “INTEKAR YAPI” dhe “ASL”që kërkoi ta ndërtojë tunelin për rreth 17 miliardë lekë ose 170 milion dollarë, dhe një tjetër bashkim operatorësh, përbërë nga kompania egjiptiane “Concord Engineering” dhe dy kompani shqiptare,  që kanë ofruar 12 milionë dollarë më pak për të njëjtën punë, në total 158 milion dollarë, ministria e drejtuar nga Belinda Balluku, zgjodhi ofertën më të shtrenjtë për xhepat e qytetarëve. Pikërisht në një kohë kur qeveria flet për krizë, taksat e shqiptarëve shpërdorohen. Dhe përpara syve të të gjithë shqiptarëve del qartë se kriza është për qytetarët, ndërsa për qeverinë është sezon pasurimi për të dhe klientët e saj. Dhe nuk janë pak, por 12 milionë dollarë që mund të shkojnë për shtresat në nevojë, jo për orekset e një grushti të vogël njerëzish”

/Priza.al/

 

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *