22 marsi është një ditë e rëndësishme për Partinë Demokratike. Kjo datë, 22 marsi i vitit 1992, simbolizon, ditën e fitores së zgjedhjeve të para të demokratëve, pas rënies së diktaturës. Nisur nga kjo kryedemokrati Lulzim Basha ka mbledhur rreth vetes demokratët dhe ka bërë një përmbledhje të shkurtër të rrugëtimit për të arritur deri sot. Në fjalën e tij, Basha ka bërë edhe një paralelizëm me të tashmen, duke thënë se edhe sot ku kanë kaluar kaq shumë vite thirrja “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, mbetet aktuale.
“Është një kënaqësi e jashtëzakonshme të ndodhemi bashkë sot, ndonëse në këtë realitet diktuar virtualisht nga pandemia për të kujtuar 22 Marsin, ditën e madhe të demokracisë në Shqipëri. Pas një terri të gjatë dhe pas një rrugëtimi në tunel të errët, drita e shpresës shënoi fillimin e udhëtimit tonë drejt Shqipërisë europiane. Fitorja e parë e zgjedhjeve nga Partia Demokratike, është një ditë domethënëse jo vetëm për ne demokratët, po për të gjithë shqiptarët. Ajo ishte ora e ndarjes përfundimtare me diktaturën dhe fillimi i një procesi të ri, vërtet të gjatë dhe të lodhshëm, por të domosdoshëm për një vend që aspiron të bëhet anëtar i Bashkimit Europian. 22 Marsi, kjo ditë e shpresës, ditë e fitores, kthehet sot në një frymëzim dhe angazhim të ri për ne që të japim gjithçka që kemi për ta bërë Shqipërinë një vend më të mirë”, tha Basha.
Në deklaratën e tij, numri një i demokratëve pati edhe një mesazh politik, që premton se pas 25 prillit, do të sjellë ndryshim dhe realizimin e kësaj ëndrre disa vjeçare.
“Sot ne bashkohemi të gjithë me një mision të vetëm: ta çlirojmë Shqipërinë nga kjo e keqe që e ka mbërthyer dhe që e mban peng. Sot së bashku me ju, të gjithë që jeni të pranishëm në këtë takim mbi themelet që u ngrit dhe qëndron fort kjo parti me aspiratat tuaja, me fëmijët tuaj, me fëmijët e gjithë Shqipërisë, ne do ta bëjmë realitet këtë ëndërr të shqiptarëve. Ju që jeni sot në këtë takim, jeni dëshmi e gjallë dhe dëshirës për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa, askush nuk na e mësoi, askush nuk j’ua mësoi shprehjen; “e duam Shqipërinë si gjithë Europa” E di që të gjithë do të donit më shumë se kaq, të gjithë shqiptarët duan që ne ta përmbyllim sa më shpejt këtë mision historik që t’i bëjmë realitet ëndrrat tuaja të kahershme, ëndrrën e të gjithë shqiptarëve. Ky është angazhimi ynë, ky është angazhimi im dhe të gjithë së bashku do t’ia dalim. Ju falënderoj nga zemra për të gjithë angazhimin tuaj që ditët e para të kësaj beteje të pashembullt e cila ka dhe do të ketë vetëm një përfundim: mposhtjen e të keqes dhe fitoren e ëndrrës të shqiptarëve të bashkuar, rinisje në rrugëtimin tonë drejt Europës, fitoren e çdo familjeje Shqiptare dhe të Shqipërisë! Ju faleminderit”, tha Basha.