Zëdhënësja e Sali Berishës, Floriana Garo ka reaguar për sulmin me armë në Tiranë dy ditë më parë në “Don Bosko” duke akuzuar se kjo është politika e kryeministrit Edi Rama që solli këto pasoja.
“Masakra e Don Boskos është dëshmi tjetër e zbatimit të platformës së qeverisë ‘të hanë kokat e njëri-tjetrit’, e cila do te thotë rendi dhe siguria janë në duart e banditëve dhe të vrasësve.
Kjo situatë e rënduar e sigurisë, dhe besimit të humbur tek policia, pasqyrohen në serialin e ngjarjeve të krimit dhe terrorit që përgjakën para dy ditësh Don Boskon, e që kanë përgjakur rrugët dhe lagjet e Shqipërisë muajt dhe vitet e fundit.
Partia Demokratike i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes së viktimës dhe i uron shërim të shpejtë të plagosurve.
Partia Demokratike denoncon, si kryefajtorë të situatës të dalë jashtë kontrollit, ministrin Çuçi dhe shefin e tij, Edi Rama. Politika e këtij të fundit mbi rendin dhe sigurinë përshkruhet me vetë fjalët e tij: hëngshin kokat e tyre!
Sepse krimi nuk harron kurrë të hajë koka të tjera, siç ndodhi me 58 vjeçaren, e cila u vra në sy të mbesës 10 vjeçare, ndërkohë që punonte turnin e dytë të ditës, me të vetmin qëllim, mbijetesën” tha ajo.