Edi Paloka, kryetari i Këshillit Kombëtar ka deklaruar se Partia Demokratike do të futet në zgjedhjet lokale të 14 majit, me koalicion. Në një deklaratë për mediat, pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit, Paloka tha se që nesër do të bëhet regjistrimi i koalicionit, por nuk konkretizoi aleatët me të cilët do të bashkohen. Paloka tha vetëm se ka disa parti me të cilat PD-ja është në marrëveshje, por nuk përmendi asnjë emër.
“Këshilli Kombëtar është organi më i lartë që mund të marrë vendime në PD. Gjatë gjithë mbledhjes, nuk pati asnjë ide apo propozim të mos hyjmë në zgjedhje. PD do të hyjë në zgjedhje me bindje që do të fitojë. Kjo ishte pika e parë, pika e dytë që u diskutua ishte se si do të hyjmë në zgjedhje. Pati ide për koalicion dhe kandidatë të pavarur. Këshilli vendosi që do të hyjmë me koalicion. U miratua dhe një rezolutë e përqëndruar në Këshillin Kombëtar. Ka një PD të bazuar në Këshillin e Anëtarësisë. Kjo parti do të hyjë në zgjedhje për t’i fituar ato. Janë disa parti me të cilat kemi marrëveshje. Janë teknikalitete që do të zgjidhen dhe nga kryesia. PL, Partia e të Drejtave të Njeriut dhe parti të tjera. Emri i koalicionit akoma nuk është vendosur. Do të ndjekim të gjitha afatet, i pari është nesër. Që nesër ne do të ndjekim të gjitha rregullat dhe do të regjistrojmë koalicionin tone,”- tha Paloka.