Është publikuar lista e fituesve. PD ka bërë të ditur 300 anëtarët që do të jenë në Këshillin Kombëtar të kësaj force politike për 4 vitet e ardhshme.
Në listë nuk shihet se janë shpallur fitues Edit Harxhi, e cila ishte një prej kandidateve për kryetare të PD dhe Arben Ristani, ish-Sekretar i Përgjithshëm i PD-së. Të dy ishin kandidatë, ndër të vetmit që kandidonin nga grupimi ‘Për PD-në”, grupim i cili kritikoi ashpër Bashën për mënyrën se si e drejton forcën e tyre politike.
Kritikët e tjerë të Bashës, Bujar Nishani, Agron Shehaj dhe Fatbardh Kadilli kalojnë ‘ex officio’ anëtarë të Këshillit Kombëtar, si anëtarë Kryesie apo si deputet.
Në listën e publikuar nuk duket se ka surpriza. Ndër fituesit e shpallur mund të përmendet Glauk Olldashi, i biri i të ndjerit Sokol Olldashi, futbollisti Andi Lila apo edhe ish-deputetja që u zgjodh nga radhët e LSI, Elda Hoti. Të tjera emra risi janë artisti Robert Budina, aktori i humorit Julian Deda, ashtu sikurse edhe moderatorja Oriela Nebiaj.
300 anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar të PD u zgjodhën nga 5339 delegatë të Kuvendit Kombëtar, në një proces që u zhvillua dje në Pallatin e Kongreseve. Këshilli i ri Kombëtar do të zgjedhë ekipin e ngushtë të Bashës.
Sipas Statutit nga 300 emra minimalisht 90 janë gra dhe vaja dhe 45 anëtarë e forumit rinor të PD.
Prej ditës së djeshme, edhe statuti i PD pëson ndryshime. 11 propozimet e Lulzim Bashës u miratuan në bllok pa asnjë ndryshim nga Kuvendi Kombëtar. Në fjalën e tij kreu i PD-së bëri thirrje për bashkim ndërkohë që e gjitha fjala e tij ishte e bazuar në mesazhin e asaj që ai e konsideron si masakra elektorale e 25 prillit.
Edhe pse shumica e fjalimeve ishte ‘besnike’ të Bashës, disa prej tyre ishin vërtet kritikë. Zëri më kritik ishte deputeti i zgjedhur në Lezhë, Mark Marku i cili theksoi se PD-ja duhet të ndryshojë, pasi në të kundërtën rrezikon që të mbetet në opozitë edhe për 4 vitet e ardhshme. Edhe drejtuesi politik i qarkut të Vlorës, Bujar Leskaj mori përgjegjësinë e mosarritjes së rezultatit maksimal në qarkun e tij, por në analizën e tij tha se ka pasur kandidatë që kanë bërë fushatë individuale që ndikuan negativisht. Edhe Fatbardh Kadilli, ish-rival i Bashës në garën për kryetar, mbajti një fjalë me tone kritikuese.
Një nga kritikët më të ashpër të Bashës, Bujar Nishani zgjodhi ta bojkotonte këtë Kuvend Kombëtar, njëjtë edhe Agron Shehaj. Ky i fundit, ishte i pranishëm në sallën e Pallatit të Kongreseve, por refuzoi të merrte fjalën. Por edhe këtë herë Basha zgjodhi t’i injoronte, duke u larguar më herët nga punimet e Kuvendit Kombëtar duke zgjedhur të mos i dëgjonte disa prej fjalimeve.