PE kërkon hetim të lidhjeve Oliver Varhelyi- Milorad Dodik! Dyshime se komisioneri për Zgjerimin ka ndihmuar liderin e serbëve të Bosnje-Hercegovinës

Në Parlamentin Europian ka dyshime se komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi ka përkrahur dhe ndihmuar udhëheqësin e serbëve të Bosnjës Milorad Dodik, në planet e tij për ndarjen e vendit. Për të hetuar këto dyshime, një grup prej 30 deputetësh kërkuan nga ekzekutivi një ‘inspektim të brendshëm.’

Eurodeputetja hungareze, Katalin Cseh publikoi letrën e hapur drejtuar presidentes së Komisionit Europian Ursula von der Leyen, së cilës i kërkohet kryerja e një hetimi të brendshëm në ngarkim të komisonerit Varhelyi.

‘Së bashku me kolegët eurodeputetë, ne kërkojmë një hetim mbi dyshimet se komisioneri Varhelyi ka ndihmuar Milorad Dodik në planet e tij separatiste për Bosnjë Hercegovinën. Bashkimi Europian duhet të qëndrojë i vendosur dhe i besueshëm në anën e paqes. Populli i Bosnjë Hercegovinës dhe më tej meriton qartësi për këtë,’ tha Cseh.

Tetorin e kaluar, portali politico.eu, duke iu referuar disa zyrtarëve anonimë europianë dhe analizës së dokumenteve të brendshme, akuzoi diplomatin hungarez, i afërt me kryeministrin Viktor Orban, si të njëanshëm në qëndrimet e tij ndaj Serbisë.

Një zhvillim i tillë vjen ndërsa tensionet janë të larta në Bosnjë, me udhëheqësin e serbëve Milorad Dodik që kërkon shkëputjen e Republikës Srbska dhe krijimin e një ushtrie më vete. Për sjelljet e tij separatiste, Dodik është shpallur ‘non grata’ nga Shtete e Bashkuara. Sipas Uashingtonit, Dodik përdor retorikën nacionaliste, për të mbuluar korrupsionin.

 

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *