Kreu i Sindikatës së Pedagogëve Sandër Kovaçi ka lexuar në protestë një letër të hapur dërguar Ambasadës së SHBA, Britanisë dhe shteteve të BE në vendin tonë, duke i informuar lidhur me protestën e tyre.
Kovaçi, teksa lexoi letrën drejtuar institucioneve diplomatike, u shpreh se qeveria i paraqet kërkesat e tyre si me nxitje politike por, se çdo kërkesë e paraqitur në formën e peticionit ka si synim rritjen e cilësisë së Arsimit të Lartë Publik, frenimin e largimit të trurit nga Shqipëria dhe ofrimin e një edukimi sa më cilësor.
Më tej ai theksoi se kryeministri Rama duhet të ndalojë intimidimin dhe të trajtoje me seriozitet kërkesat e tyre.
Letra e plotë
Prej më se dy javësh trupa akademike, ndihmës-akademike dhe ajo administrative e Institucioneve të Arsimit të Lartë Publik në Shqipëri kanë filluar një protestë, e cila ka në fokus përmirësimin e gjendjes ekonomike dhe klimës akademike në Institucionet e Arsimit të Lartë Publik në Republikën e Shqipërisë.
Mbështetja financiare e shtetit për Institucionet e Arsimit të Lartë Publik ndikon drejtpërsëdrejti në zhvillimin bashkëkohor të shkencës, teknologjisë, panoramës ekonomike e sociale të vendit, si dhe në ambiciet e rinisë shqiptare për një edukim universitar sipas standardeve europiane.
Gjykojmë se mungesa e vëmendjes dhe mbështetjes financiare për një kohë të gjatë nga të gjitha qeveritë, ka ndikuar në largimin e rinisë nga vendi, në kërkim të një edukimi cilësor. Me të njëjtat motive është larguar gjithashtu një pjesë e stafit akademik drejt vendeve të zhvilluara. Shpopullimi i vendit dhe boshatisja e auditorëve të Universitetit është tashmë një çështjes e njohur me shtrirje kombëtare.
E vetëdijshme për misionin e saj në edukimin e rinisë studentore me vlerat e larta të humanizmit dhe atdhedashurisë, si dhe rolin e saj të pazëvendësueshëm në përgatitjen e specialistëve të të gjitha fushave të zhvillimit ekonomik, social dhe kulturor të vendit, me ndjenjën e lartë të përgjegjësisë dhe të seriozitetit, trupa e punonjësve të universiteteve publike e përfaqësuar nga Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH) i është drejtuar qeverisë së Republikës së Shqipërisë me disa kërkesa të karakterit ekonomik, administrativ dhe ligjor, të cilat kanë për qëllim ndryshimin e kësaj panorame mjaft të trishtueshme të gjendjes së Arsimit të Lartë në Shqipëri.
Megjithëse kërkesat e SPUSH janë të karakterit ekonomik dhe financiar dhe aspak politik, qeveria është përpjekur t’i konsiderojë ato si kërkesa me nxitje politike, me qëllim delegjitimimin e tyre dhe lënien të pazgjidhur të problematikës së Arsimit të Lartë Publik.
Një pohim i tillë reflektohet edhe me reagimin e qeverisë me rritjen me 7% të pagave të punonjësve të stafit akademik, e cila nuk mbulon as indeksimin e inflacionit për vitin 2022, duke mos mundësuar një trajtim financiar dinjitoz për punën e punonjësve të Arsimit të Lartë Publik.
Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë rithekson se për brezin e ri. Motoja e protestave tona është dhe do vijojë të jetë: Arsimi i Lartë Publik prioritet strategjik kombëtar.
Me anë të kësaj letre të hapur synojmë të informojmë të gjitha përfaqësitë diplomatike të vendeve mike dhe partnere të Shqipërisë, si një ndër aktorët më të rëndësishëm mbështetës me financime për Arsimin e Lartë Publik, duke kërkuar në të njëjtën kohë vijimin e mbështetjes për përmirësimin e situatës aktuale dhe futjen e Arsimit të Lartë Publik në rrugën e progresit.
Kryeministrit të Shqipërisë i kërkojmë të ndalojë intimidimet ndaj drejtuesve të Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë dhe trupës akademike dhe të trajtojë me seriozitetin maksimal kërkesat që kanë për qëllim përmirësimin e gjendjes së Arsimit të lartë publik, si e vetmja mënyrë për rikthimin e shpresës dhe frenimin e shpopullimit të vendit.
Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me të gjitha institucionet publike për të vendosur në rrugën e zgjidhjes trajtimin me seriozitet të kërkesave/ çështjeve, që lidhen me Arsimin e Lartë Publik dhe dhënien fund të bojkotit të procesit mësimor, me qëllim kthimin sa më shpejt të trupës akademike në auditorë.