Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi zhvilloi një bashkëbisedim online me të gjithë përfaqësuesit e Shqipërisë në misione jashtë vendit. I shoqëruar edhe nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Gjeneral Brigade Arben Kingji, Ministri Peleshi i përgëzoi ata për kontributin dhe punën e bërë gjatë këtij viti tejet të ngarkuar për sigurinë dhe paqen në të gjithë botë.
Peleshi zhvilloi bisedë edhe me misionin e Shqipërisë pranë KFOR në Kosovë, duke folur edhe për situatën atje.
“Së fundmi tensioni është rritur. Ju jeni pjesë e KFOR, e strukturës së NATO-s që garanton sigurinë. Të gjitha fenomenet që kërkojnë të krijojnë destabilitet në rajon janë derivat i asaj çka ndodhi në shkurtin e këtij viti në Ukrainë dhe vazhdon të jetë sot një nga shqetësimet kryesore të botës. Kjo ngjarje na vuri përpara detyra lidhur me investimet në arsimim, në shtimin e prezencës sonë në misione ndërkombëtare, pra në ndërtimin e Force të Armatosur më të fortë, më të aftë dhe më shpresëdhënëse për të gjithë bashkatdhetarët tanë në Shqipëri, por edhe në rajon, për të garantuar paqen dhe sigurinë në Ballkan dhe në të gjithë hapësirën e Aleancës së NATO-s”, theksoi ministri Peleshi.
Ministri i Mbrojtjes vlerësoi kontributin e përfaqësuesve tanë në këto misionet e rëndësishme të NATO-s. Lidhur me objektivat që Ministria e Mbrojtjes ka për vitin 2023, Peleshi bëri me dije se pagat për të gjithë efektivët do të rriten me 7%. Sipas tij, në vitin që vjen, fillon puna për ndërtimin e korpusit të Akademisë së FA, ndërsa flotë së Forcës Ajrore do t’i shtohen helikopterë të tjerë.
Një tjetër projekt i Ministrisë së Mbrojtjes për vitin që vjen është edhe ndërtimi i një porti të ri ushtarak në Porto Romano pranë portit komercial, i cili sipas ministrit Peleshi do t’i japë Shqipërisë një rëndësi të shtuar strategjike.