Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka prezantuar këtë të premte Gjeneral Brigade Arben Kingji i cili ka marrë zyrtarisht detyrën si Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
Gjatë fjalës së tij, Peleshi tha se gjeneral Kingji vjen në këtë detyrë si një produkt i natyrshëm i karrierës së suksesshme dhe sfiduese të një ushtaraku shqiptar, pas një pune të gjatë 28 vjeçare.
Sakaq shtoi se MB synon të rrisë akoma dhe më tepër buxhetin për ‘mbrojtjen’, brenda afateve të përcaktuar nga NATO.
“Përballja me sfidat që ofron mjedisi i ri i sigurisë parashtrojnë domosdoshmërinë për të pasur një Forcë të Armatosur të motivuar, të mirëpajisur dhe mirëtrajnuar, të ndërveprueshme, e cila duhet të jetë e gatshme që të realizojë me sukses misionin e saj kushtetues. Tashmë, Forcat e Armatosura janë duke u pajisur me armatim, teknikë dhe sisteme moderne dhe të ndërveprueshme. Angazhimi i Ministrisë së Mbrojtjes dhe i qeverisë është vijimi i rritjes së buxhetit të mbrojtjes me synimin përmbushjen e objektivave të NATO-s brenda afateve kohore të përcaktuara, me prioritet Grup Batalionin e Këmbësorisë së Lehtë, rritjen e flotës së helikopterëve, përmirësimin e kapaciteteve të Flotës Detare, si dhe jo më pak nga rëndësia, vijimin e transformimi të sistemit të edukimit ushtarak”, deklaroi gjatë fjalës ministri Peleshi.