Ndonëse kishte trumbetuar se mandatet nuk digjen, sepse ato janë fituar me gjak, kryetarja e LSI-së dy vite më parë u dorëzua. Me shpresën për shpëtim nga Reforma në Drejtësi, ajo mori vendimin që të digjte mandatet e LSI-së. Madje në atë kohë ajo tha në një komunikim për mediat, se kjo është e vetmja formë për të rikthyer shtetin e së drejtës.
“Grupi Parlamentar i LSI-së vlerëson se djegja e mandateve është rruga e vetme për të rikthyer shtetin e së drejtës, dhe legjitimitetin e qeverisjes përmes votës së lirë. Prandaj, Grupi Parlamentar, vendosi djegjen e mandateve dhe mandatoi kryetaren e LSI-së për të ndërmarrë të gjithë hapat statutore dhe politike në përmbushje të këtij vendimi”, deklaronte Kryemadhi në atë periudhë.
Por duket se gjërat kanë ndryshuar tashmë, edhe vetë brenda LSI-së. Luan Rama, në emër të LSI-së ka kërkuar ndjesë që dogjën mandatet, dhe ikën nga parlamenti. Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, ka kërkuar ndjesë në emër të forcës së tij politike për largimin nga Kuvendi, dhe djegien e mandateve. Madje Luan Rama e ka cilësuar të gabuar vendimin e opozitës.
“Kërkoj ndjesë që nuk e dëgjuam presidentin që na tha: Mos ikini nga Parlamenti. Ne gabuam që nuk e dëgjuam kur tha se opozita është institucion në demokraci dhe nuk braktistet institucioni. Kërkoj ndjesë në emër të LSI-së, unë jam nënkryetar i LSI-së”, tha Rama në “Opinion”.