Një shtetas 35-vjeçar është arrestuar nga policia e Tiranës teksa vëllai i tij është shpallur në kërkim për pengmarrje. Në pranga ka rënë 35 vjeçari me inicialet A.B ndërsa në kërkim është shpallur vëllai i tij, F.B, 28 vjeç.
Të dy këta persona në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë marrë me forcë në makinë 47-vjeçarin Gj.F dhe e kanë dhunuar me pretendimin se ky i fundit u kishte borxh një shumë të madhe parash.
Njoftimi i policisë:
I hoqën lirinë një shtetasi, e kanosën dhe e dhunuan atë, për t’u dhënë një shumë parash, falë reagimit të menjëhershëm të Policisë, vihet në pranga 35-vjeçari dhe shpallet në kërkim vëllai i tij.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, menjëherë pas njoftimit se një shtetas ishte marrë me forcë nga 2 shtetas të tjerë, nga vendparkimi i një lokali në Kombinat, kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për zbardhjen e plotë të këtij rasti.
Si rezultat i reagimit të menjëhershëm dhe profesional të shërbimeve të Policisë, u identifikuan 2 autorët e dyshuar, u kap dhe u vu në pranga njëri prej tyre, shtetasi A. B., 35 vjeç, si dhe u shpall në kërkim bashkautori i dyshuar, vëllai i 35-vjeçarit, shtetasi F. B., 28 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, mbrëmjen e djeshme, kanë marrë me forcë, me automjet, nga vendparkimi i një lokali, shtetasin Gj. F., 47 vjeç, e kanë kanosur dhe e kanë dhunuar atë, me pretendimin se 47-vjeçari u kishte borxh një shumë parash.
Vijon puna për kapjen e shtetasit F. B.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.