“Pensionet i kemi mbuluar me buxhetin e shtetit”/ Rama zbulon se çfarë do të ndodhte me vendin nëse paga minimale do të ishte 500 euro

Kryeministri Edi Rama sqaroi në konferencën për prezantimin e planit për përballimin e krizës energjetike, pse nuk mund të rriten pagat me 500 euro. Në fjalën e tij, kreu i qeverisë tha se nëse paga minimale rritet 500 euro sa hap e mbyll sytë, vendi hyn në një krizë urie në më pak se një vit.

Po ashtu, sipas Ramës, as pensionet nuk mund të rriten shumë, pasi sipas tij ato financohen nga sigurimet shoqërore dhe në vendin tonë me kontributet shoqërore nuk paguhen dot as gjysma e pensioneve.

“Nëse e rrisim pagën minimale jo në 500 euro, por në 500 mijë lekë, sa hap e mbyll sytë, na duhet më pak se një vit që të hyjmë në krizën e urisë. Pagat e pensionet në një vend rriten njësoj si të ardhurat në një shtëpi. Nuk ka prind në botë që nuk do t’i japë më shumë fëmijës së tij. Pensionet financohen nga sigurimet shoqërore, pra nga kontributet e atyre që punojnë.

Pa hyrë në historinë e abuzimeve, të gropës së madhe, le të shohim sa sigurime shoqërore paguajmë ne. Me këtë nivel sigurimesh shoqërore e shëndetësore, ne sot nuk do të paguanim dot as gjysmën e pensioneve që paguajmë. Pjesën e munguar nga njerëzit e kemi mbuluar nga buxhet i shtetit, me afro 450 milionë dollarë në vit, që është shuma e ardhur nga taksat e aktivitetit ekonomik.

Nga ana tjetër, edhe pse afro gjysmë miliardi cdo vit ne i marrim nga taksat për të mbushur deficitin e pensioneve, që më 2014 ne i kemi ulur taksat dhe tatimet për 97% të shqiptarëve. Po ashtu biznesi i vogël paguan zero taksë, ndërkohë që deri më 2013 paguante 10% taksë. Këto janë fakte dhe cdo infermiere, cdo punonjës policie, cdo mësues, cdo kamerier, kuzhinier, etj, që ka punuar më parë, pra ka paguar taksë nga paga para 2013, këtë që po them e verifikon shumë lehtë dhe e di shumë mirë”, tha Rama.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *