Disa nga shoqëritë administruese të fondeve të pensionit privat kanë ulur gjatë vitit të kaluar tarifat e administrimit që u ngarkohen anëtarëve, si një stimul për rritjen e numrit të tyre, por duke ndikuar njëkohësisht edhe në rritjen e konkurrencës në treg.
Tarifat e administrimit janë tarifa të cilat shoqëritë administruese të fondeve të pensioneve aplikojnë mbi baza vjetore për koston e administrimit të fondit të pensionit. Sipas përcaktimeve të nenit 69 të Ligjit Nr.10197 “Për fondet e pensionit vullnetar”, përqindja e caktuar nuk mund të kalojë, në asnjë rast 3% të vlerës neto të aseteve të fondit të pensionit në vit. Ndërsa në projektligjin e ri “Për fondet e pensionit privat” është parashikuar që tavani për këtë tarifë të zbresë më tej, duke mos qenë më e lartë se 2.5%.
Aktualisht janë katër fonde pensioni private vullnetare që ushtrojnë aktivitetin e tyre në tregun e pensioneve. Tarifat e administrimit të aplikuara për secilin fond pensioni fillojnë nga 1.5% të vlerës së aseteve neto në vit për shoqërinë Raiffeisen Invest, ndjekur nga Credins Invest me 2% në vit, Sigal Life Uniqa Group Austria me 2.2% në vit dhe Albsig Invest me 2.5% në vit.
Shoqëria administruese e fondeve të pensioneve private “Credins Invest sh.a” ka realizuar dy ulje të tarifave të administrimit brenda vitit 2021. Në muajin korrik 2021, tarifa është ulur nga 3% në 2.4% në vit dhe më tej, në muajin nëntor është aplikuar një ulje tjetër e tarifës në 2% në vit.
Ndërsa shoqëria administruese Sigal Life Uniqa Group Austria sh.a, uljen e parë të tarifës së saj administruese e ka aplikuar në qershor 2020, nga 3% në nivelin 2.5% në vit dhe më pas, nxitur edhe nga konkurrenca në treg, shoqëria e ka ulur më tej tarifën në 2.2% në shkurt të vitit të kaluar.
Tregu i pensioneve private, edhe pse ka njohur një trend rritës në vitet e fundit, sa i përket aseteve, por edhe numrit të anëtarëve, mbetet në shifra modeste. Në fund të shtatorit të vitit të kaluar, asetet e këtij tregu arritën në rreth 4.3 miliardë lekë, ose rreth 35.2 milionë euro, me një rritje prej rreth 19% krahasuar me fundvitin 2020. Numri i anëtarëve në 9-mujor shënoi gjithashtu rritje me rreth 6.3% krahasuar me fundvitin 2020, duke arritur në rreth 33 mijë anëtarë.
Në dhjetor të vitit 2021 doli për konsultim publik projektligji i ri “Për fondet e pensionit privat”, i cili synon t’i japë një ritëm të ri zhvillimi tregut të fondeve të pensioneve private.