Lehtësohen procedurat për transferimin e pensioneve. Përmes një statusi në rrjetet sociale, ministrja e Financave, Anila Denaj, vë në dukje se aplikimet për transferimin e pensionit në bankë ose në një nga degët e postës që është më afër vendbanimit mund të bëhen online përmes portalit “e-Albania”, duke iu kursyer qytetarëve mundin, por edhe kohën.
“Pensionin e merrni ku të dëshironi, me vetëm një klikim. Kërkesa për ndryshim mund të bëhet nëpërmjet portalit ‘e-Albania’, apo edhe në arkën postare, ku pensionistët dëshirojnë ta tërheqin pensionin. Falë sistemit informatik, ndihmohen qytetarët dhe eliminohen ecejaket nëpër sportele”, ka shkruar ministrja.
APLIKIMI
Sipas Institutit të Sigurimeve Shoqërore, kërkesa për transferimin e përfitimit bëhet kur pensionisti ndryshon vendbanimin nga një qytet në një qytet tjetër, ose ndryshon qendrën paguese brenda të njëjtit qytet.
Por kjo skemë ju shërben edhe atyre që duan ta marrin pensionin përmes bankës, duke shmangur tërheqjen e zarfit në sportelet e postës. Në portalin “e-Albania” janë dhënë në mënyrë të detajuar edhe hapat që duhet të ndiqen për transferimin e pensionit.
“Ju fillimisht duhet të hapni një numër llogarie bankare, në një nga bankat me të cilat ISSH-ja ka marrëveshje dhe më pas duhet të bëni kërkesë për transferim të pagesës së pensionit në këtë bankë. Kërkesa për transferim pagese pensioni në bankë bëhet duke aplikuar ose te portali ‘e-Albania’, te shërbimi ‘Kontribute dhe Pensioni’ dhe aty përzgjidhet shërbimi ‘Kërkesë për transferim dosjeje përfitimi’, ose duke u paraqitur direkt në bankën ku do keni llogarinë bankare, ose duke u paraqitur në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore, pranë vendbanimit për të aplikuar direkt aty për kërkesë transferimi pensioni”, ka sqaruar më herët Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Për finalizimin e kësaj praktike mjaftojnë vetëm 10 ditë kalendarike.
PENSIONI NË BANKË
Por është me rëndësi të theksohet se për pagesën në bankë, duhet që secili prej pensionistëve, 2 herë në vit, përkatësisht në janar dhe shtator, të plotësojë deklaratën për konfirmimin e kreditimit të llogarisë.
Shkresa me anë të së cilës të moshuarit deklarojnë se e kanë marrë pensionin në rregull mund të dorëzohet ose duke u paraqitur në sportelet e bankës ose përmes portalit “e-Albania”.
Dorëzimi i deklaratës është i rëndësishëm për të mos shkaktuar vonesa në marrjen e pensionit. Pagesa përmes bankës iu jep mundësi të moshuarve që të mos përballen më me radhët që krijohen në sportele.
Në të njëjtën datë me pensionin e pleqërisë mund të tërhiqet edhe pensioni suplementar, pra nuk ka dy data të ndryshme, por vetëm një. Kjo është bërë për të lehtësuar punë dhe për të shmangur vajtjen më shumë se një herë në bankë të pensionistëve.
/Priza.al/