Vitet e fundit numri i emigrantëve që përfitojnë pension është rritur. Duke qenë se shumica e tyre janë larguar në dekadën e parë të tranzicionit arrijnë të plotësojnë kushtet vetëm për përfitim të pensionit minimal me 15 vite të siguruara.
Për të përfituar pension e plotë të pleqërisë një person përveç kriterit të plotësimit të moshës duhet të ketë 35 vite punë me sigurime të paguara. Nëse vitet e punës nuk plotësohen atëherë personat nuk plotësojnë pension të plotë.
Të dhënat zyrtare tregojnë se nga viti në vit pensionistët e rinj nuk arrijnë të përmbushin kriterin e viteve të punës.
Vitin e kaluar personat që dolën në pensionin kishin punuar me sigurime mesatarisht 28 vite ose 7 vite më pak, se kriteri ligjor 35 vite për pension të plotë.
Sipas ekspertëve në Institutin e Sigurimeve Shoqërore mosplotësimi i viteve të punës nga gjeneratat e reja të pensionistëve është reflektim i problematikave të tranzicionit, si emigracioni dhe informaliteti në tregun e punës.
Vitet e fundit numri i emigrantëve që përfitojnë pension është rritur. Duke qenë se shumica e tyre janë larguar në dekadën e parë të tranzicionit arrijnë të plotësojnë kushtet vetëm për përfitim të pensionit minimal me 15 vite të siguruara.
Gjithashtu edhe një pjesë e madhe atyre që jetojnë në Shqipëri nuk arrijnë të përmbushin kërkesën ligjore për pension të plotë, për shkak se, shpesh kanë punuar në informalitet dhe nuk i kanë paguar rregullisht sigurimet shoqërore.
Për këto arsye pensionet e reja të pleqërisë vit pas viti po vijnë me ulje. Të dhënat zyrtare të Institutit të Sigurimeve Shoqërore tregojnë se, pagesa mesatare për pensionet e reja që u lidhën në vitin 2021 ishte 14,652 lekë, në rënie me 2.5% krahasuar me vitin 2020.
Që nga aplikimi i reformës, periudha mesatare kontributive për pensionet e reja të pleqërisë ka pësuar rënie të ndjeshme. P.sh., në vitin 2015, pensionistët që dolën atë vit në pension kishin derdhur kontribute afërisht për 32.3 vite pune, ndërsa ata që kanë dalë në pension në vitin 2020 kanë paguar kontribute për 29.4 vite pune, sipas të dhënave zyrtare nga instituti i Sigurimeve Shoqërore. Në harkun e pesë viteve, mosha mesatare kontributive për pensionet e reja ka rënë afërisht me 5 vite.
Për të përfituar pension të plotë pleqërie sipas Ligjit të Sigurimeve duhen jo më pak se 35 vite sigurimi, për personat të cilëve e drejta për pension u ka lindur deri më 31 Dhjetor 2014. Ky pension nuk mund të jetë më pak se 13,753 lekë në muaj, ndërsa pensioni maksimal nuk mund të jetë më shumë se dyfishi i pensionit minimal ose 27,506 lekë.
Ndërkohë, për pensionet e caktuara me datë fillimi nga 1 janari 2015 e në vazhdim, e ardhura minimale (që nënkupton një periudhë sigurimi jo më pak se 15 vite, sipas formulës së re të përllogaritjes së pensioneve), nuk mund të jetë më e vogël se masa e pensionit social, e cila aktualisht është 7465 lekë në muaj, ndërsa e ardhura maksimale varet nga paga dhe zgjatja e periudhës së sigurimit dhe si pasojë nuk ka kufizim në lartësinë e tyre.//MONITOR