Një objekt që dyshohet të jetë një “balonë përgjimi” kineze po fluturon mbi Shtetet e Bashkuara prej disa ditësh dhe zyrtarë të lartë amerikanë kanë këshilluar presidentin Joe Biden që të mos urdhërojë rrëzimin e saj për shkak të shqetësimit se copërat e saj mund të përbëjnë një kërcënim për sigurinë.
“Është e qartë se qëllimi i kësaj balone është survejimi”, u tha gazetarëve të enjten një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane.
Marrëdhëniet mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, dy ekonomitë më të mëdha në botë, kanë qenë të tensionuara kohët e fundit, me përplasje për shkak të Tajvanit dhe gjendjes së të drejtave të njeriut në Kinë, si edhe aktivitetit të saj ushtarak në Detin e Kinës Jugore.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken do të vizitojë Kinën pas disa ditësh
Uashingtoni e ka gjurmuar balonën që kur ajo hyri në hapësirën ajrore të SHBA-së disa ditë më parë, duke e mbikqyrur atë me avionë ushtarakë amerikanë.
Zyrtarët nuk pranuan të thonë se në çfarë lartësie po fluturonte balona, por pranuan se po funksiononte mbi trafikun ajror civil dhe nën “pjesën e jashtme të hapësirës”.
Udhëheqësit e lartë ushtarakë amerikanë shqyrtuan mundësinë e rrëzimit të balonës mbi shtetin e Montanësm por përfundimisht rekomanduan kundër një lëvizjeje të tillë për shkak të rrezikut të mundshëm të sigurisë nga copëzat e saj.
Balonat përgjuese kanë fluturuar mbi Shtetet e Bashkuara disa herë vitet e fundit, por kjo balonë duket se ka qarkulluar më gjatë se në rastet e mëparshme, tha zyrtari.
“Aktualisht, ne vlerësojmë se kjo balonë ka vlerë të kufizuar shtesë nga këndvështrimi i mbledhjes së informacionit të zbulimit, por ne gjithsesi po marrim hapa për t’u mbrojtur kundër mbledhjes së informacionit të ndjeshëm nga zbulimet e huaja,” tha zyrtari./VOA