“Pepe dhe Sedorf më të sinqertët”/ Ançeloti: Vetëm 2 lojtarë nuk më kanë gënjyer në 30 vjet

Reali i Madridit do të kthehet sërish në fushë sonte në mbrëmje, me kampionët e Spanjës që do të përballen me Getafen. Risia e madhe për këtë sfidë është mungesa e kapitenit, Karim Benzema. Francezi ka pasur disa shqetësime të vogla pas takimit në mesjavë në Ligën e Kampioneve dhe tekniku italian ka vendosur ta lërë pushim. Trajneri Karlo Ançeloti ka folur në konferencën për shtyp, duke u ndalur pikërisht te Benzema, por dhe tema të tjera.

BENZEMA – “Ka luajtur dy ndeshje radhazi me minutazh të plotë pas më shumë se një muaji jashtë. Është pak i ngarkuar, por nuk ka asnjë problem serioz”,- ka thënë Ançeloti.

PROBLEMET NË MBROJTJE -“Aspekti i mbrojtjes është shumë i rëndësishëm në këtë ekip dhe ka qenë çelësi i suksesit. Prandaj angazhimi i të gjithëve do të jetë i rëndësishëm. Është e vërtetë që nuk kemi qenë gjithmonë kompaktë dhe kemi humbur duele. Nuk është relaksim, janë gjëra që ndodhin”.

ANEKDOTA – Trajneri Ançeloti është ngacmuar nga gazetarët edhe në lidhje me faktin se me afrimin e Botërorit, lojtarët nisin të ruhen disi për të shmangur dëmtimet. Italiani ka treguar nga eksperienca e tij se një gjë e tillë nuk i ka ndodhur shpesh.

“Nuk mendoj kështu, por për ne është e rëndësishme të vlerësojmë mirë ngarkesën e lojtarëve, lodhjen e tyre. Lojtarët nuk janë aq të sinqertë në këtë drejtim. Nëse do t’i pyesësh lojtarët të gjithë do të thonë se jemi mirë, nuk jemi të lodhur. Kjo në fakt nuk më pëlqen, se ndonjëherë të mos jesh i sinqertë në këtë kuptim mund të të kushtojë një dëmtim. Unë preferoj që një lojtar kur është i lodhur të ma thotë qartë. Por në 30 vjet vetëm dy lojtarë më kanë thënë; njëri është Pepe në një finale të ‘Ligën e Kampioneve’ dhe tjetri është Sedorf në një ndeshje të kampionatit”.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *