Dritan Abazoviç është kryeministri i ri i Malit të Zi. Qeveria e tij është miratuar në kuvend me 45 vota pro.
Kuvendi zgjodhi këtë të enjte qeverinë e 43-të të Malit të Zi. Ballkani ka nga sot një kryeministër të tretë shqiptar.
Për zgjedhjen e qeverisë së re dhe miratimin e kryeministrit votuan 45 deputetë të mazhorancës së re, ndërsa kundër tre deputetë të SD-së.
Qeveria do të ketë 18 ministri dhe në përbërje ka edhe dy ministra shqiptarë. Abazoviç i ka besuar Ministrinë e Administratës Publike Marash Dukajt, ndërsa Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave është propozuar për t’u drejtuar nga Fatmir Gjeka, i cili më herët ka drejtuar komunën e Ulqinit.