Asnjë arsimtar që është dënuar ose ka kryer dënimin për vepra morali, ngacmime apo rrezikshmëri të tjera për nxënësit, nuk do të kenë më mundësinë që të punojë si mësues në shkollat e vendit.
Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, ka firmosur ndryshimin e udhëzimit që ndalon aplikimin dhe konkurrimin, për të punuar si mësues të personave të dënuar.
Njoftimin e ka dhënë vetë ministrja nëpërmjet një statusi në “Facebook”. Kushi shprehet se, ka marrë shkas edhe nga rasti i Beratit, ku 62-vjeçari Ëngjëll Bregu, i cili rezultonte i dënuar për “pedofili” dhe “ngacmim seksual”, të fëmijëve në vitin 2003, ishte emëruar mësues për lëndët e “fizikës” dhe “informatikës”.
Zyra Arsimore Berat pas publikimit të ngjarjes, shkarkoi nga detyra mësuesin e shkollës “22 Tetori” në Berat.
Ja statusi i plotë i ministres së Arsimit, Evis Kushi në facebook:
“Duke marrë shkas nga rasti i fundit i punësimit në Berat të një mësuesi që shkaktoi zemërim të lartë publik, sot firmosa menjëherë ndryshimin e udhëzimit që ndalon aplikimin dhe konkurrimin për të punuar si mësues të personave të dënuar, për të cilët gjykata ka marrë vendim të formës së prerë, për kryerjen e një vepre penale kundrejt të miturve apo për kryerjen e një vepre penale që lidhet me institucionet arsimore.
Ky vendim shmang rrezikun që mund t’i vijë nxënësve tanë nga persona që nuk garantojnë integritet të lartë moral dhe ligjor. Angazhohemi që të vijojmë me një punë akoma më intensive për të ndërmarrë iniciativa të tjera ligjore që garantojnë më shumë mbrojtjen dhe mirëqenien e fëmijëve tanë”,- shkruan Kushi.
/Priza.al/