Përballjet me Hungarinë dhe Poloninë/ Trajneri Reja shpalos listën e formacionit ‘Kuqezi’, bën edhe disa rikthime…

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Edoardo Reja, ka bërë publike listën me emrat e 25 lojtarëve që do të grumbullohen për dy ndeshjet e eliminatoreve të Botërorit “Katar 2022” ndaj Hungarisë dhe Polonisë.

Lista kuqezi ka pak ndryshime në krahasim me grumbullimin e fundit, teksa risia është rikthimi i Ivan Balliut, i cili po kalon një formë të mirë me “Rayo Vallecanon-n” në Spanjë.

Rikthehen në dispozicion Ermir Lenjani, Kastriot Dermaku dhe Federic Veseli, të cilët munguan në ndeshjet e fundit për shkak të problemeve fizike. Do të mungojë për shkak dëmtimesh këtë here mesfushorët Qazim Laçi dhe Armir Abrashi, ku ky i fundit është dëmtuar pak ditë më parë dhe nuk do të ketë mundësi të japë kontributin e tij për kuqezinjtë.

Pjesa tjetër e listës nuk ka ndryshime, teksa pas impenjimeve me klubet në fundjavë lojtarët do të grumbullohen të hënën në kompleksin Tropikal në Durrës për të nisur përgatitjet për dy ndeshjet e radhës, që janë vendimtare për Kombëtaren në eliminatoret e Botërorit.

Shqipëria renditet aktualisht e dyta në Grupin I me 12 pikë pas 6 ndeshjesh, ndërsa më 9 tetor do të sfidojë Hungarinë në transfertë. Më 12 tetor në “Air Albania” kuqezinjtë do të presin Poloninë, aktualisht rivalin direkt për vendin e dytë.

Të hënën trajneri i Kombëtares, Edoardo Reja, do të dalë në konferencë për shtyp, që do të zhvillohet në orën 13:15 në Durrës, ku do të shpjegojë edhe zgjedhjet dhe do të analizojë dy sfidat e radhës.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *