Përdorimi i kanaleve bankare të pagesave nga shqiptarët u rrit sërish në gjysmën e parë të këtij viti. Sipas informacionit nga Banka e Shqipërisë, për 6-mujorin e parë individët dhe bizneset kanë kryer rreth 15.9 milionë pagesa në rrugë bankare, në rritje me 19% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë, vlera totale e transaksioneve arriti në 2.7 trilionë lekë, në rritje me 12% në raport me 6-mujorin e parë të vitit 2021.
Në vlerë, veprimet bankare vazhdojnë të dominohen nga transfertat e kreditit (pagesat) në
formë letër, me 69% të totalit. Pagesat në formë letër përfshijnë pagesat që urdhërohen nga klientët në sportelet e bankave. Ndërkohë, transfertat e kreditit në formë joletër (që përfshijnë internet dhe mobile banking), zënë rreth 25% të vlerës së pagesave. Megjithatë, bankat kanë raportuar një vijimësi në rritjen vjetore të numrit dhe vlerës së tyre, përkatësisht me 17% dhe 18%. Ndërkohë, në numër veprimesh, peshën kryesore në veprimet bankare të shqiptarëve vazhdojnë ta zënë pagesat me karta, me rreth 60% të totalit. Numri i pagesave me kartë për 6-mujorin 2022 u rrit 30% me bazë vjetore, ndërsa vlera e tyre u rrit me 40%.
Banka e Shqipërisë, në mbledhjen e fundit të Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave që u zhvillua në dhjetor 2021, vlerësonte se numri i individëve në moshë madhore që zotërojnë një llogari bankare ka arritur në 66%, nga rreth 40% që vlerësohej në vitin 2016. Kjo tregon se përdorimi i shërbimeve bankare ka shënuar një rritje të ndjeshme në vitet e fundit.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se numri total i llogarive bankare në fund të vitit të kaluar ishte rreth 3.05 milionë, me një rritje prej 3.1% krahasuar me një vit më parë. Numri i llogarive bankare është rritur në të gjitha segmentet kryesore të klientëve, përfshi individët dhe bizneset, qofshin rezidente apo jorezidente.
Numri i llogarive bankare në Shqipëri arriti numrin më të lartë në vitin 2016, me pothuajse 3.5 milionë. Në periudhën 2016-2020, numri i tyre pati pësuar rënie të vazhdueshme, i ndikuar ndjeshëm edhe nga konsolidimi i sektorit bankar dhe ulja e numrit të përgjithshëm të bankave.
Megjithëse numri i llogarive bankare në Shqipëri është më i lartë në krahasim me numrin e përgjithshëm të popullsisë, në vetvete kjo nuk ka domethënie shumë të madhe për të kuptuar depërtimin e llogarive bankare në shoqëri. Ndërsa shumë shqiptarë kanë disa llogari bankare, një pjesë e madhe e popullsisë në moshë madhore ende nuk e ka një të tillë.
Bazuar në shkallën e depërtimit prej 66%, mund të llogaritet se janë ende afërsisht 750 mijë shqiptare në moshë madhore që nuk zotërojnë një llogari bankare. Për të adresuar këtë problem, Banka e Shqipërisë ka hartuar projektligjin për llogarinë bazike të pagesave, që reflekton direktivën përkatëse të Bashkimit Europian. Projektligji parashikon se llogaria e pagesave me shërbime bazike do t’iu ofrohet konsumatorëve dhe individëve rezidentë në Republikën e Shqipërisë nga të gjitha bankat tregtare pa pagesë ose me tarifa të arsyeshme, me kusht që ata të mos kenë një llogari bankare ekzistuese. Sipas projektligjit, tarifë e arsyeshme do të konsiderohet tarifa e cila nuk tejkalon 50% të nivelit mesatar të tarifës së aplikuar nga subjekti, për të njëjtat shërbime të ofruara nëpërmjet një llogarie të zakonshme pagesash. Megjithatë, bankat do të jenë të detyruara t’i ofrojnë shërbimet e pagesave me tarifë zero, për kategoritë që i përkasin grupit të konsumatorëve të cilët përfitojnë nga të drejtat e parashikuara në legjislacionin që rregullon asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë. Këtu përfshihen përfituesit e pagesës së papunësisë, përfituesit e skemës së ndihmës ekonomike, përfituesit e pagesës për paaftësi ose për aftësinë e kufizuar, përfituesit e pensioneve urbane dhe rurale në skemën e sigurimeve shoqërore, përfituesit e ndihmës ekonomike për arsimin e lartë, por edhe për kategori të tjera të përcaktuara me vendime të posaçme nga Banka e Shqipërisë./Monitor