Një operacion i Drejtorisë së Krimit të Organizuar është zhvilluar në Athinë, gjatë të cilit janë arrestuar pesë persona: dy pakistanezë, dy grekë dhe një rumun. Ata akuzohen për “trafikim të qenieve njerëzore”, “ushtrim dhe favorizim të paligjshëm të prostitucionit”, si dhe “për heqje të lirisë së personave të tretë” pasi punonin si tutorë.
Nga hetimi rezultoi se të arrestuarit kërcënonin një grua moldave. Ata i thonin asaj se nuk mund të ishte e lirë, derisa të shlyente borxhin që u kishte.
“Borxhi” i supozuar ishin paratë që kishin paguar për ta transportuar nga vendlindja e saj, për në Greqi.
Pas sjelljes së moldaves në Athinë, grupi më pas e futi në një apartament dhe filluan ta dërgonin në tre shtëpi publike të ndryshme. Nga hetimet rezultoi se, autorët shfrytëzonin pesë gra të tjera.
Gjatë kontrollit janë gjetur dhe konfiskuar: 1265 euro, mjete për transferim të mjeteve (dërgesat), veturë, 3 telefona celularë. Gruas fatkeqe viktimë të trafikimit të qenieve njerëzore, iu ofrua ndihmë dhe mbrojtje nga autoritetet greke.
Të arrestuarit janë dërguar në Prokurorinë kompetente, ndërsa në të njëjtën dosje, përveç pesë të arrestuarve, përfshihen edhe dy persona të tjerë në kërkim nga Policia helene.
/Priza.al/