Ndërsa Rusia është e izoluar në Perëndim për shkak të një lufte në Ukrainë, tapeti i kuq u shtrua për ministrin e Jashtëm Sergei Lavrov gjatë turneut të tij në katër vende në Afrikë.
Vizita e zotit Lavrov tregoi se Rusia kishte ende muskujt diplomatikë për të sfiduar Perëndimin për zemrat dhe mendjet e qeverive afrikane, teksa ai vizitoi Egjiptin, Etiopinë, Ugandën dhe Kongon-Brazzaville.
Shumica e kombeve afrikane – duke përfshirë Nigerinë dhe Kenia, fuqitë ekonomike të Afrikës Perëndimore dhe Afrikës Lindore respektivisht – votuan në favor të një rezolute të asamblesë së përgjithshme të OKB-së në mars , duke dënuar “agresionin” rus dhe duke kërkuar tërheqjen e tij nga Ukraina.
Megjithatë, gati gjysma e të gjithë abstenimeve – 17 – ishin nga Afrika.
Vendet në këtë listë përfshinin Afrikën e Jugut e cila ndihet borxhli ndaj Moskës për mbështetjen e saj në luftën kundër sundimit të pakicës së bardhë dhe Ugandës, e cila do të marrë kryesimin e Lëvizjes së të Paangazhuarve, një organ global i formuar gjatë Luftës së Ftohtë nga vendet që donin të shmangnin kapjen nga rivaliteti midis fuqive perëndimore dhe bllokut komunist.
Në një konferencë për shtyp me z. Lavrov, presidenti i Ugandës Yoweri Museveni përsëriti qëndrimin e tij të neutralitetit mbi konfliktin në Ukrainë.
“Ne nuk besojmë se jemi armiq të armikut të dikujt”, tha ai.
Për zotin Lavrov, vizita ishte e rëndësishme për të kundërshtuar pretendimet se Rusia po “eksporton urinë” në Afrikë. Ai fajësoi sanksionet e vendosura ndaj Rusisë nga vendet perëndimore për rritjen e çmimeve të grurit.
Presidenti i Francës Emmanuelle Macron është në turneun e tij në Afrikë këtë javë, duke vizituar Kamerunin, Beninin dhe Guinea-Bissau.
Në Kamerun, ai tha: “Ne fajësohemi nga disa që thonë se sanksionet evropiane janë shkaku i krizës botërore të ushqimit, përfshirë në Afrikë. Është krejtësisht e rreme. Ushqimi, si energjia, janë bërë armë luftarake ruse.”
Duke kundërshtuar këtë pikëpamje, zoti Lavrov tha se kriza e ushqimit filloi me pandeminë Covid, por pranoi se “situata në Ukrainë ndikoi edhe më shumë në tregun ushqimor”.