Përfaqësuesi i Bashkisë Maliq, Gezim Topciu foli në Komisionin e Reformës Territoriale, ku ka deklaruar se nga reforma administrative e vitit 2014, Maliqit i janë bashkuar edhe 7 njësi administrative, dhe se në këto vite janë realizuar shumë investime.
Po ashtu ai ka theksuar se janë shërbyer edhe në njësitë administrative që janë larg.
“I janë bashkuar 7 njësi administrative, ka një rritje të financave vendore me 1.7 herë me transfertën. Në analizën që unë kam bërë dua të sqaroj se në 8 vjet janë realizuar 189 projekte. Ju bëni një pyetje, a i shërbehet çdo njësie administrative pavarësisht largësisë? Unë them se po, ka rënë disa që nuk kanë 7 makina e kryetar por lekët kanë shkuar për qytetarët. Në këto 8 vite ne kemi realizuar shumë investime. Fusha e Maliqit nuk përmbytet më, falë qeverisë që na ka dhënë ekskavator, nuk dua ta shikoj politikisht.
A ka zona që nuk kemi investuar? Po ka, janë dy zona të thella që kemi dhe largim të qytetarëve por dhe këto nuk janë harruar në shërbimet bazë, ujë, shkolla.
Si e shikoj unë reformën territoriale? Atë që shikoj se duhet përmirësuar ka të bëjë me financat. Duhet të ketë një transfertë të veçantë për investime. Me vendim të këshillit bashkiak të vendosen prioritetet për ato që kemi nevojë më shumë.
Kemi burime njerëzore që nuk i kemi të mjaftueshem. Unë jam i vetëdijshëm, duke marrë në konsideratë pagat, nuk të vjen inxhineri e arkitekti me paga 50 apo 60 mijë lekë në muaj”, tha ai.