Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Marash Logu ka kërkuar shfuqizimin e vendimit për konfiskimin e pronave të ndërtuara pa leje, me Vendim të Këshillit të Ministrave.
Gjatë seancës së zhvilluar ditën e sotme në Gjykatën Kushtetuese, ai deklaroi se kjo përkthehet në cenim të së drejtës së pronës për qytetarët të cilët mund të kenë blerë apartament në një pallat të ndërtuar pa leje.
Ai tha se qytetarët nuk kanë detyrim të mbajnë në kontroll ndërtuesit, duke theksuar se nuk mund të kemi konfiskim të të gjithë pasurisë, por të produktit të veprës penale.
“Çfarë ndodh me personat e tretë mund të kenë blerë një apartament në këto godina. Në qoftë se unë si qytetar i thjesht kam lidhur një kontratë sipërmarrje nuk kam detyrim të mbajë në kontroll ndërtuesin.
Nuk mbahet në kontroll ndërtuesi. Aq më pak mund të themi nëse jam një qytetar që kam blerë një apartament dhe papritur marr vesh që gjithë godina është konfiskuar, përfshirë edhe apartamentin tim.
Kjo në vlerësimin tonë e cenon në mënyrë flagrante të drejtën e pronësisë të qytetarëve që nuk kanë asnjë lloj faji pse një ndërtues mund të ndërtojë në shkelje të lejes së ndërtimit. Konfiskimi i gjithë godinës është një masë tërësisht jo proporcionale. Nuk mund të kemi konfiskim të të gjithë pasurisë por të produktit të veprës penale”,– deklaroi ai.