Shkencëtarët kanë përllogaritur se lëshimi preciz në orbitë dhe kryerja me sukses e dy manovrave të korrigjimit të trajektores pritet të dyfishojë misionin e teleskopit revolucionar James Webb.
Teleskopi u lëshua në hapësirë më 25 dhjetor nga raketa Ariane e agjencisë hapësinore europiane, ESA. Ai ka kryer deri më tani rreth 40 për qind të distancës prej rreth 1.5 milionë kilometra në drejtim të pikës Lagrange 2, ku do të parkohet për të vijuar misionin e vëzhgimit të hapësirës.
Webb ka përshkruar mbi 577 mijë kilometra, ndërsa po udhëton me shpejtësi rreth 900 metër për sekondë.
Sipas përllogaritjeve të shkencëtarëve të NASA-s dhe të ESA-s, kryerja në perfeksion e të gjitha proceseve të deritanishme ka bërë të mundur që teleskopi të ketë furnizimin e mjaftueshëm me lëndë djegëse për korrigjim trajektoreje për të paktën 10 vite, nga pesë që ishte synimi minimal i shkencëtarëve.
Teleskopi ka kushtuar rreth 10 miliardë dollarë. Por, pse të shpenzosh një shumë kaq marramendëse për të parë hapësirën me teleskop, për më tepër që një i tillë ndodhet tashmë atje, i quajtur Hubble.
Teleskopi ka kushtuar rreth 10 miliardë dollarë. Por, pse të shpenzosh një shumë kaq marramendëse për të parë hapësirën me teleskop, për më tepër që një i tillë ndodhet tashmë atje, i quajtur Hubble.
Hubble orbiton rreth tokës prej më shumë se tre dekadash dhe falë tij shkencëtarët në Tokë kanë arritur të identifikojnë një sërë fenomenesh hapësinore, përfshirë këtu edhe planete të mundshëm të banueshëm për njerëzimin.
Hubble është në gjendje që të kapë fenomene në një distancë prej miliona vitesh dritë larg. Ndryshimi është se Webb do të orbitojë rreth Diellit dhe pritet që të kapë fenomene me miliarda vite dritë larg. Kjo është arsyeja se përse shkencëtarët besojnë se me këtë teleskop do të arrijnë që të kthehen pas në kohë me miliarda vite te ajo që njihet si “Epoke e errët” e universit.
Si? Drita kërkon 8 minuta që të mbërrijë nga Dielli në Tokë në një distancë prej 150 milionë kilometrash. Ndërkohë, drita e yllit më të afërt me sistemin tonë kërkon katër vite kohë. Kjo do të thotë se në Tokë nuk shihet gjendja reale e Diellit, por gjendja e tij para 8 minutash, po ashtu edhe ajo e yllit më të afërt me sistemin tonë nuk është gjendja momentale e tij, por ajo para 4 viteve.
Me James Webb shkencëtarët synojnë që të kapin dritën në një distancë prej miliarda vite dritë me shpresën që shifra do të arrijë te 13 miliardë vite drite larg, që sipas teorisë dhe besimit të përgjithshëm të shkencëtarëve është epoka e errët, kur sapo kishte nisur shfaqja e yjeve të parë në univers.
/Priza.al/