44-vjeçari në Sarandë, Englentin Cuni ka rënë në prangate policisë pasi kërkonte të përfitonte me anë të mashtrimit një shumë parash prej 200.000 lekësh të rinj, nga familjarët e 2 personave me pretendimin se kishte ndikuar në vendimin e dhënë nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për t’i proceduar ata në gjendje të lirë.
Policia ka bërë të mundur sekuestrimin e një shume prej 200.000 lekësh të rinj, një celular dhe një automjet.
Njoftimi i policisë
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Përfitimi”. Operacioni, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në DVP Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë.
Kapet dhe vihet në pranga 44-vjeçari që kërkonte të përfitonte një shumë parash duke mashtruar shtetas të tjerë. Sekuestrohet shuma prej 200.000 lekësh të rinj, një celular dhe një automjet.
Shërbimet e Komisariati të Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në DVP Vlorë, në kuadër të hetimit të nisur nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, si dhe pas kallëzimit të një qytetari se një shtetas kërkonte t’u merrte, me anë të mashtrimit, një shumë parash disa të tjerëve, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Përfitimi”, në kuadër të të cilit bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit:
– E. Ç., 44 vjeç, lindur dhe banues në Delvinë, për veprën penale “Mashtrimi”, i cili u kap në momentin që do merrte shumën e lekëve nga personat që kishte mashtruar. Nga veprimet hetimore rezulton se shtetasi E. Ç., kërkonte të përfitonte me anë të mashtrimit, shumën prej 200.000 lekësh të rinj, nga familjarët e shtetasve K. R. dhe E. (A.) R., me pretendimin se 44-vjeçari kishte ndikuar në vendimin e dhënë nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për t’i proceduar në gjendje të lirë shtetasit K. R., 34 vjeç dhe E. (A.) R., 39 vjeç
Shterasit K. R., 34 vjeç dhe E. (A.) R., 39 vjeç, më datë 08.05.2022, në Delvinë, dyshohet se kanë ushtruar dhunë fizike ndaj 2 punonjësve të ujësjellësit dhe më pas u kanë dëmtuar edhe automjetin e ujësjellësit që kishin në përdorim.
Si rezultat i këtij operacioni u sekuestrua në cilësinë e provës materiale shuma prej 200.000 lekësh të rinj, një celular dhe një automjet. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprime të mëtejshme.