Xhiani De Biazi ka rinovuar kontratën me Azerbajxhanin, deri në përfundimin e kualifikueseve të kampionatit europian, “EURO 2024”. Me anë të një postimi në “Facebook”, ish-trajneri i kombëtares shqiptare është shprehur i lumtur për këtë mundësi të dhënë nga Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Azerbajxhanit.
“Dëshiroj t’i drejtoj të gjithë Federatës së Azerbajxhanit dhe në veçanti Presidentit Rovnag Abdullayev dhe Komitetit Ekzekutiv, falenderimet e mia personale për vlerësimin e punës së bërë deri tani me Kombëtaren tonë. Ne ndërtuam ambientet për të optimizuar një punë në terren që mund të japë kënaqësi për futbollistët, drejtuesit dhe tifozët. Tani na pret një sfidë ambicioze dhe sfiduese, kualifikimi në “EURO 2024” në Gjermani. Faleminderit futbollistëve të mi që më ndjekin me besim dhe falenderoj të gjithë ata që bashkëpunojnë në fushë me mua dhe të gjithë ata që nuk e shohin njëri-tjetrin, por punojnë dhe janë shumë të çmuar për mua!”, Shkruan Xhani De Biazi në Faceook.
Kujtojmë që italiani ishte një ndër emrat që përfliteshin për të zëvendësuar Edi Rejën në Kombëtaren shqiptare.