Gërmimet për tunelin e Llogarasë kanë përfunduar. Kryeministri Edi Rama ka qenë i pranishëm ditën e sotme gjatë momentit kur është hapur i gjithë tuneli i cili pritet të rrisë standartet rrugore dhe të shkurtojë në mënyrë të konsiderueshme kohën e udhëtimit.
Teksa u prit me duartrokitje nga punonjësit e firmës që po kryen punimet, Rama i falënderoi për punën e bërë dhe mes të tjerash bëri me dije se pavarësisht se në kontratë afati për përfundimin e punimeve është gushti i vitit 2024, punimet pritet të përfundojnë plotësisht në 1 qershor.
“Përfundojnë me një moment emocionues për të gjithë skuadrat e angazhuara, gërmimet e tunelit të Llogarasë, i cili tanimë është i hapur në krejt gjatësinë e vet, falë përmbylljes së procesit më të vështirë për ndërtimin e kësaj vepre infrastrukturore, që do të shkurtojë konsiderueshëm kohën e udhëtimit drejt Jonit, duke rritur njëkohësisht standardet e sigurisë rrugore. Një punë e bërë në kohë rekord që do të pasohet tani me proceset e tjera, deri në përfundimin e plotë të të gjithë veprës, shpresojmë në 1 qershor të vitit të ardhshëm”-shprehet Rama.
Në dhjetor të vitit të kaluar, kryeministri, Edi Rama bëri me dije se gërmimet do të përfundonin në fillim të këtij viti. Punimet kanë nisur në fund të Nëntorit të vitit 2021. Ky investim kushton afro 140 milionë euro dhe vepra konsiderohet si ndër më të rëndësishmet infrastrukturore për jugun e vendit, që pritet të shkurtoj distancën nga Dukati në Palasë nga 30 minuta në vetëm 7 minuta. Tuneli pritet të ketë një gjatësi prej afro 6 kilometrash.