Dita e parë e gjykimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka përfunduar me deklaratën e mbrojtësit të “viktimave”.
Më 4 prill, ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, do të nisin me deklaratat e tyre hapëse, lidhur me krimet e luftës dhe krime kundër njerëzimit.
Avokati i viktimave Simon Laws, tha: “Ata [të akuzuarit] ishin persona të fortë. Në qoftë se ata kanë qenë duke i bërë këto krime, me siguri nuk kanë imagjinuar që do të vinte një ditë si kjo e sotmja”, tha ai.
Laws tha se pavarësisht dallimeve që kanë viktimat, “ata janë të bashkuar në dëmin që kanë pësuar. Ata kanë një gjë të përbashkët. Ata ishin viktima të krimeve që nuk kishin pikë justifikimi. Për secilin prej tyre, një ditë ndryshoi jetët e tyre përgjithmonë”
Laws tha po ashtu se viktimat janë etiketuar si “tradhtarë” nga ish krerët e UÇK dhe kanë kërkuar që për secilin prej tyre, përmes fakteve, të dëshmohet e kundërta para kësaj gjykate.