Përfundon ekspertiza për drogën në thasët me pleh kimik në Frakull, rezulton e gjitha kokainë e pastër

Droga në thasët me pleh organik e zbuluar në fshatin Frakull të Fierit është e gjitha e llojit kokainë.

Sipas akt-ekspertimit ka rezultuar se në thasë janë gjetur 485.5 kg kokainë. Si “koka” e organizimit të këtij trafiku akuzohet shtetasi Nikolin Gjolena, që tashmë ka përfunduar në pranga.

Plehu kimik, që përdorej si mbulim për të fshehur kokainën ishte porositur nga kompania në emër të shtetasit Zenel Çervenaku. Thasët janë zbuluan në oborrin e banesës së ish kreut të Komunës Frakull, Viktor Çervenakut, por ai nuk ishte prezent në momentet e ndërhyrjes, ndërsa është arrestuar më pas.

Laboratori i kokainës në fshatin Frakull i Madh të Fierit u zbulua pasi një sasi e madhe kokaine e cila kishte mbërritur nga vendet e Amerikës Latine, u kap në Portin e Tivarit në Malin e Zi. Mësohet se për kokainën që përpunohej në banesën e Çervanakut, kujdesej një tjetër person, pasi vetë Viktor Çervenaku, jetonte në Tiranë.

Kokaina, e cila ishte e fshehur në 400 kg thasë me pleh kimik, e kapur në muajin korrik të këtij viti, është mbajtur nën vëzhgim, për të zbuluar edhe destinacionin se ku do të shkonte.

Operacioni i cili është zhvilluar nga DEA Amerikane, në bashkëpunim me SPAK dhe policinë malazeze, është mbajtur i fshehur, dhe janë vëzhguar thasët me pleh kimik ku ishte e fshehur edhe kokaina, të cilat janë marrë nga Porti i Tivarit dhe janë dërguar në fshatin Frakull i Madh në Fier.

Deri tani janë arrestuar 15 persona dhe mësohet se 4 prej tyre, janë të rinjtë që u kapën sot në Tiranë me pistoleta dhe kallashnikovë, të cilët dyshohet se janë pjesë e këtij grupi. Ato arrestuan pasi kanë dalë në përgjime dhe po mbaheshin në vëzhgim. Janë sekuestruar edhe armë, 2 kallashnikovë, 1 ‘shotgun’ dhe 1 çifte.

4 të arrestuarit në Tiranë, si pjesë e laboratorit të kokainës në Fier janë, Bledar Matoshi, 33 vjeç, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje; Kid Koshena, 28 vjeç, i dënuar më parë për plagosje të rëndë; Klajdi Vrioni (Kodra), 32 vjeç, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje dhe për plagosje të rëndë dhe Redion Meshi, 22 vjeç, i cili drejtonte automjetin ku u gjetën armët.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *