Altin Dumani ka arritur të mbledhë më shumë vota gjatë votimit të anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Me pesë vota Dumani ka mundur në këtë garë Edvin Kondilin dhe Adnan Xholin. Ky i fundit mori një votë, ndërsa Kondili ka marrë katër vota. Kështu u ndanë 10 anëtarët e KLP, pas mungesës së njërës prej tyre.
Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Alfred Balla tha gjatë fjalës përmbyllëse se Dumani do të marrë mandatin e kreut të SPAK më datë 19 dhjetor dhe mandati i tij si drejtues do të zgjasë deri më 18 dhjetor të vitit 2025.
“Me 5 vota pro zoti Altin Dumani emërohet drejtues i Prokurorisë së Posaçme. Mandati i zotit Dumani do të jetë 3 vjet pa të drejtë rizgjedhjeje duke filluar nga data 19.12.2022 deri më 18.12.2025. Të njoftohet me këtë vendim zoti Dumani dhe Prokuroria e Posaçme. Kundër këtij vendimi mund të bëhet apel në Gjykatën Administrative të Apelit jo më vonë se 5 ditë nga shpallja e vendimit” – u shpreh Balla.
Seanca për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK zgjati rreth 5 orë dhe u pa me interes edhe nga ambasada amerikane në vend dhe nga ambasadorja Yuri Kim e cila e ndoqi nga afër një pjesë të saj.