Sokol Bode, ish-drejtuesi i Policisë në Dhërmi që u vu në pranga sot në Berat ka qenë prej vitesh në qendër të mediave për shkak të fotove ku shihet duke konsumuar dreka e krah për krah me vëllezërit Habilaj (Florian dhe Moisi), të akuzuar e dënuar për trafik ndërkombëtar droge.
Në dosjen e dorëzuar në Gjykatë për grupin “Habilaj”, janë renditur si provë e bashkëpunimit të anëtarëve të grupit me Policinë edhe disa përgjime telefonike. Mes tyre është një bisedë e zhvilluar mes Bodes dhe Florian Habilajt. Sipas përgjimeve të zbardhura, është ish-shefi i Policisë Kufitare në Dhërmi, Sokol Bode, i cili e telefonon vetë Florian Habilajn për ta takuar në lagjen “Çole” në Vlorë.
PERGJIMET
Më datë 15.10.2017, ora 09:11, numri që mbaron me 777, që përdoret nga Florian Habilaj, është telefonuar nga numri që mbaron me 888, që i përket Sokol Bodes.
Bode: Alo
Habilaj: Po
Bode: Si je flori, mirë jeni?
Habilaj: Mirë, faleminderit
Bode: Sokol Bode të shqetëson
Habilaj: Po
Bode: Po vij për 10 minuta n’bazë
Habilaj: Ku të pres?
Bode: Poshtë
Habilaj: A do të vij te karburanti?
Bode: N’Çole, N’Çole
Habilaj: Hajt se po vij aty.
Bode u kap sot në Berat dhe po sillet drejt Tiranës. Ish-shefi i Policisë së Dhërmiut, Sokol Bode është dënuar nga GJKKO me 12 vite burg. Ai u dënua në mungesë në prill të këtij viti. Bode dyshohet se ka bashkëpunuar me Gjergj Kohilën, një tjetër zyrtar policor që u dënua me 12 vite burg për bashkëpunim me Habilajt. Kohila u vetëdorëzua në dhjetor të vitit të kjaluar dhe GJKKO vulosi dënimin e tij. Kohila do të qëndrojë vetëm 8 vite në qeli pasi përfitoi nga gjykimi i shkurtuar. E njëjta gjë vlen dhe për Boden.