Përhapja e Omicron, Italia drejt masave të reja! Të vaksinuarit do jenë të detyruar të tregojnë testin negativ për të hyrë në ambientet publike

Qeveria e Italisë po shqyrton mundësinë e vendosjes së  masave  të reja për të shmangur një rritje të infektimeve COVID-19 gjatë periudhës së festave.

Sipas gazetës Corriere della Sera kabineti i kryeministrit Mario Draghi mund ta bëjë të detyrueshme që edhe të vaksinuarit të tregojnë një test negativ për të hyrë në stadiume, kinema ,teatro dhe disko. Po ashtu po shqyrtohet mundësia për ta bërë sërish të detyrueshme mbajtjen e maskës.

‘Detyrimi për të mbajtur maskën mund të aplikohet së shpejti,’ i tha gazetës Franco Locatelli, një nga këshilltarët kryesorë të qeverisë.

Sipas rregullave aktuale, të gjithë ata që janë të vaksinuar ose janë shëruar së fundmi nga COVID-19 kanë akses për të hyrë në bare, restorante, muze, kinema, klube dhe ngjarje sportive.

Në Itali vaksinimi është tashmë i detyrueshëm për punonjësit e kujdesit shëndetësor, stafin e shkollës, policinë dhe ushtrinë . Instituti Kombëtar i Shëndetit deklaroi se varianti Omicron po përhapet me shpejtësi në Itali, ku deri më tani janë identifikuar 84 raste .

Italia, e cila u godit rëndë nga pandemia COVID-19 në fillim të vitit të kaluar, ka regjistruar raste të reja por sërish ato mbeten poshtë disa vendeve të tjera evropiane si Britania e Madhe dhe Gjermania.

 

 

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *