Përhapja e Omicron, Suedia merr masat drastike! Rregulla të reja për bare dhe restorante

Suedia njoftoi më 10 janar se ka vendosur masa të reja frenuese kundër koronavirusit, përfshirë shkurtimin e orarit të punës së bareve dhe restoranteve si dhe kufizimin e tubimeve publike. Ky shtet po përballet me rritje të madhe të rasteve për shkak të përhapjes së variantit Omicron të koronavirusit. Baret dhe restorantet do të mbyllen në ora 23:00 dhe dëshmia e vaksinimit do të kërkohet për të gjitha tubimet publike që mbahen në ambiente të mbyllura e ku marrin pjesë mbi 50 persona. Ndërkaq, tubimet private nuk mund të kalojnë shifrën prej 20 personash.

Këto masa do të hyjnë në fuqi të mërkurën, më 12 janar. Me masat aktuale, paraqitja e dëshmisë së vaksinimit kërkohet vetëm në ngjarjet ku marrin pjesë më shumë se 500 persona. Me masat e reja, përveç se do të kërkohet që të ofrohet dëshmia e vaksinimit, qytetarët që do të marrin pjesë në ngjarje që do të zhvillohen në ambiente të mbyllura, duhet të kenë të paktën një metër distancë nga njëri-tjetri.

“Tani ne jemi në një situatë ku kemi nivele rekord të transmetimit”, tha gjatë një konference për media kryeministrja suedeze, Magdalena Andersson. Më 5 janar, Suedia regjistroi 23,877 infektime ditore, që është shifra më e lartë e rasteve të reja që ky shtet ka regjistruar që prej fillimit të pandemisë. Në këtë shtet, varianti Omicron është bërë variant dominues.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *